SPAK zbardh mashtrimin masiv të call centerave në Tiranë, arrestohen 6 persona që mashtronin shtetasit italian (EMRAT)
SPAK ka regjistruar një procedim penal për “Mashtrimin Kompjuterik” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, pas informacionit të dhënë nga gazetarët italianë të emisionit investigativ “Le Iene” të Mediaset.
Hetimi ka zbuluar një Qendër Thirrjesh (Call Center) në Tiranë, në ndërtesën “Atti Tower”, nga ku dyshohet se janë mashtruar shtetas italianë dhe europianë për investime në kriptomonedha.
Aktiviteti dyshohet të jetë kryer nga një grup i mirëorganizuar, që operonte në gjuhë italiane, franceze, spanjolle dhe gjermane, duke përdorur sisteme kompjuterike, telefona dhe platforma mashtruese online.
Pas regjistrimit të procedimit penal dhe bashkëpunimit me gazetarin italian që infiltrua në qendrën e thirrjeve, autoritetet zbuluan një strukturë të sofistikuar sigurie, përfshirë kamera dhe personel vëzhgimi.
Më 16 janar 2026, hetuesit konstatuan boshatisjen e ambientit dhe largimin e pajisjeve.
Falë veprimeve të shpejta, disa persona u kapën në flagrancë duke transportuar pajisjet në një ambient tjetër (Downtown One), ndërsa një qendër tjetër thirrjesh ishte në ndërtim e sipër.
Në total janë arrestuar 6 persona në flagrancë të identifikuar si Remir Gjoligaj, Endri Gjata, David Qerimi, Elis Merkaj, Rentjan Peposhi, Odeas Kuqi ndërsa për 5 të tjerë janë lëshuar urdhra ndalimi për shtetasit K.K., H.XH. dhe tre të tjerë që ende nuk janë kapur.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar pajisje kompjuterike, telefona, serverë, automjete, përfshirë një Ferrari luksoz, të dyshuar si të përdorura për këtë aktivitet kriminal.
Hetimet vazhdojnë për identifikimin e organizatorëve dhe viktimave dhe për analizimin e të gjitha pajisjeve të sekuestruara.
