Durrës/ Qëndrimi i KSSH mbi humbjen tragjike të jetës së punëtorit Astrit Hysenaj
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) shpreh dhimbjen dhe revoltën e thellë për humbjen tragjike të jetës së punëtorit Astrit Hysenaj, 54 vjeç, i cili punonte në Ndërmarrjen Komunale Plazh në Bashkinë Durrës dhe vdiq gjatë detyrës në kushtet e përmbytjeve.
KSSH thekson:
Jeta e punëtorëve nuk është statistikë, dhe çdo ngjarje gjatë kohës së punës apo gjatë udhëtimit për në punë përbën aksident pune. Shteti dhe punëdhënësi janë drejtpërdrejt përgjegjës.
Ngjarja tregon mungesë organizimi dhe menaxhimi, dërgimin e punëtorëve në rrezik pa protokolle sigurie dhe trajtim të papërshtatshëm të fuqisë punëtore.
Inspektoriati Shtetëror i Punës ka treguar përsëri indiferencë, paaftësi profesionale dhe varësi politike, duke mos parandaluar tragjedinë.
KSSH kërkon:
Njohjen zyrtare të ngjarjes si aksident në punë.
Përfitime ligjore dhe financiare të plota për familjen e viktimës, si dhe mbështetje sociale afatgjatë.
Vendosjen e përgjegjësisë administrative dhe penale për çdo hallkë që ka dështuar.
Rikthimin e dinjitetit të punëtorëve të pastrimit dhe gjelbërimit përmes kushteve të sigurta dhe protokolleve mbrojtëse.
Thirrje për sindikatat:
Të jenë pranë punëtorëve në këto ditë të vështira.
Të mos heshtin dhe të ushtrojnë presion institucional për përmirësim real të kushteve të punës.
