VIDEO/ Tërhiqen Vjosa e Erzeni, por banesat në Fier dhe Durrës vijojnë të jenë në ujë

Vjosa po bie në nivele normale e për pasojë uji po tërhiqet edhe nga tokat që përmbyti në fshatrat e Vlorës e Fierit.

Megjithatë ka banesa ende që janë të rrethuara e toka nën ujë.

Prurjet në lumenjtë Seman dhe Shkumbin janë në tendence rritje dhe në zona të caktuara përgjatë rrjedhjes kanë dalje nga shtrati, por brenda argjinaturave.

Situata nisi të përmirësohet edhe në qarkun e Durrësit, ku krahas zonës së Ish-Kënetës, prurjet e lumit Erzen dhe Ishëm krijuan përmbytje në Sukth e Katund të Ri.

Prefektura e Durrësit në përditësimin e fundit thotë 848 banorë janë evakuuar në të gjithë qarkun, për shkak të rrezikut që u kanosej. Rreth 2800 hektarë tokë janë përmbytur

1453 banesa janë evidentuar deri më tani të dëmtuara, sipas raportimeve të 508 specialistëve që kanë dalë në terren për procesin.

Problematika mbeten në fshatrat e Krujës.

Në Bashkinë e Shkodrës fshati Obot mbetet i përmbytur dhe drejt zonës mund të udhëtohet vetem me mjete të larta. Niveli i Ujit në rrugë arrin deri në 50 CM.

Sipas raportit zyrtar 266 ha tokë bujqësore nën ujë.

Prurjet e rrëmbyeshme të lumenjve Fan i Vogël dhe Zmeja në Mirditë po gërryejnë toka bujqësore dhe rrezikojnë infrastrukturën.

Një ditë pasi premtoi kompensim të drejtë  të prekurit nga përmbytjet, kryeministri Edi Rama tha këtë të shtunë se të gjitha strukturat janë të angazhuara 24 orë për menaxhimin e çdo situate që mund të krijohet edhe në orët në vijim.