Prefekti Xhindi: Ulen prurjet në Vjosë, tërheqje e ujërave nga tokat bujqësore në Fier
Situata nga përmbytjet në qarkun e Fierit paraqitet në përmirësim ndërsa ka tërheqje të nivelit të ujërave nga tokat bujqësore që u përmbytën si rezultat i daljes nga shtrati i lumit Vjosë.
Në një prononcim për ATSH-në, prefekti i qarkut Fier, Anduel Xhindi bëri të ditur se deri në këto momente akset nacionale dhe rurale janë të kalueshme normalisht.
Sipas tij, gjatë natës dhe në vazhdim në qarkun Fier ka pasur reshje shiu me intensitet të ulët.
“Po ashtu edhe furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm është në normalitet. Hidrovoret janë në gjendje pune dhe në gatishmëri të plotë”, bëri të ditur Xhindi për ATSH-në.
Sipas prefektit të Fierit, prurjet në lumin Vjosë janë në tendencë ulje.
“Vazhdon tërheqja e ujërave edhe nga tokat bujqësore të prekura nga përmbytja e lumit Vjosë. Prurjet në lumenjtë Seman dhe Shkumbin janë në tendencë rritje dhe në zona të caktuara përgjatë rrjedhës kanë dalje nga shtrati, por brenda argjinaturave”, bëri të ditur Xhindi.
Gjatë ditës së sotme, sipas prefektit Xhindi, po vijon puna në terren nga strukturat e bashkisë Fier, pas tërheqjes së ujërave në fshatin Ferras.
Prefekti theksoi se po monitorohet në vazhdimësi situata në lumin Seman, referuar edhe faktit të rritjeve të shkarkimeve nga hidrocentrali i Banjës.

