JO “ÇMENDURI” NË RRUGË! Eksperti: Edukimi dhe zbatimi i ligjit, faktorë kyç në parandalim

Viti nisi me disa aksidente tragjike që kanë pas viktima e të plagosur, ndërsa shkaqet ndërthurin fajin e shoferëve me gjendjen e rrugëve. Eksperti për sigurinë rrugore, Gëzim Hoxha, kërkon që masat të ndërthurin ndërgjegjësimin me përgjegjësinë

Format e edukimit rrugor mbeten një ndër elementët kyç për parandalimin e aksidenteve rrugore në vendin tonë.

Sipas ekspertit për aksidentet rrugore, Gëzim Hoxha, edukimi nuk duhet të kufizohet vetëm në shkolla përmes fushatave informuese, por të shtrihet edhe përmes zbatimit rigoroz të Kodit Rrugor.

Hoxha thekson se në zonat problematike apo aty ku ka precedentë aksidentesh, është e domosdoshme vendosja e patrullave të monitorimit.

Për Hoxhën, entet që kanë në pronësi mirëmbajtjen e rrugëve duhet të marrin masa konkrete, duke përmirësuar sinjalistikën dhe duke informuar në kohë drejtuesit e mjeteve për rreziqet në rrugë.

Eksperti thekson gjithashtu nevojën për vëzhgues të posaçëm, të cilët të monitorojnë rrugët, sidomos në raste kur krijohen kristale akulli, edhe në sasi të vogla, pasi ato përbëjnë një rrezik serioz për aksidente.