Tensione në Durrës/ Qytetarët mblidhen te shkallët e Bashkisë, tentojnë të futen me forcë: Korrupsioni na mbyti, jo shiu!
Qytetarët e Durrësit, të pakënaqur nga mosveprimi i institucioneve për përmbytjet e përsëritura dhe mungesën e pastrimit të kanaleve kulluese, kanë mbërritur tek shkallët e Bashkisë, duke tentuar të hyjnë brenda ndërtesës për të kërkuar përgjegjësi dhe zgjidhje.
Protestuesit janë ndaluar nga Policia, e cila ka vendosur kordone sigurie për të mos lejuar hyrjen e qytetarëve në Bashki. Marshimi dhe tensioni shoqërohen me thirrje të fuqishme nga qytetarët: “Na u bashkoni!”, ndërsa ata mbajnë pankarta që denoncojnë neglizhencën dhe fajësimin e institucioneve: “Korrupsioni na mbyti, jo shiu!”
Banorët e Durrësit kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe shpalljen e gjendjes së emergjencës, duke theksuar se shumë banesa vazhdojnë të jenë nën ujë dhe pasojat ekonomike janë të mëdha.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa qytetarët kërkojnë përgjegjësi të qarta nga Bashkia dhe autoritetet shtetërore.
Nuk munguan edhe thirrjet “Poshtë qeveria”, “Poshtë kryeministri” apo “Durrësi në ujë”.

Madje ata kanë marshuar drejt Bashkisë, duke kërkuar llogari te drejtuesit, por aty janë penguar nga Policia Bashkiake. Ata janë përplasur fizikisht dhe shtyre me efektivët për disa minuta.

“I bashkohemi Durrësit. Ne jemi në mes të ujit dhe përmbytjeve, kurse këta janë në mes të kolltuqeve dhe zyrave. Përgjegjësi e kryetares Emiriana Sako. I bëj thirrje rinisë të mos rrijë lokaleve se është turp, unë jam e moshuar dhe kam dalë t’u bashkohem këtu”, tha një prej protestueseve prezente.
“Kush na ka përmbyt? Qeveria!”, “Rama ik!” dhe “Durrësi shpella e krimit” ishin disa nga thirrjet e tjera të hedhura nga qytetarët.
Kryesisht kanë qenë banorët e zonës së ish-Kënetës, që është edhe më e prekura nga kjo situatë dhe jo vetëm.
Bashkë me ta kanë qenë edhe qytetarë nga lagje të ndryshme, si Shkozetit, Plazhit dhe deri në Sukth.

Durrësi është paralizuar totalisht nga reshjet e dendura të shiut, dhe banorët kanë shprehur shqetësimin pasi banesat e tyre janë nën ujë, po ashtu edhe shumë biznese përballen me probleme.
“Këto 30 vite asnjëherë nuk ka pasur përmbytje të këtyre përmasave në qytetin e Durrësit. Është mbytur, plazhi, Shkozeti, Spitalla, lagja 1, po për Velierën kush e kishte fajin që u mbyt Veliera”, tha një tjetër qytetar.

