“AND’RRA E NAN’ TEREZËS”/ Nga Shkodra, monodrama vjen në Tiranë, Justina Aliaj: Ajo është hyjnore!

Viti kulturor që lamë pas do të mbyllej në Shkodër në skenën e Teatrit “Migjeni”, ku u shfaq monodrama “And’rra e Nan’ Terezës, njerëzorja hyjnore”, një rrëfim i thellë artistik dhe shpirtëror kushtuar figurës së Nënë Terezës.

Nën interpretimin e artistes së mirënjohur Justina Aliaj, publiku u përfshi në një udhëtim emocional mbi jetën, sakrificën dhe dashurinë universale të shenjtores shqiptare.

Vepra, me regji të Gëzim Kames, erdhi si një ndërthurje e fjalës, muzikës dhe reflektimit, duke sjellë në qendër dimensionin njerëzor dhe hyjnor të Nënë Terezës.

Kur kanë kaluar tre javë pas shfaqjes dhe teksa pritet që monodrama të shfaqet edhe për publikun kryeqytetas, Justina Aliaj ndalet te procesi i mishërimit të figurës së Nënë Terezës dhe përgjegjësia shpirtërore që mbart ky rol.

E ftuar në një intervistë në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News” aktorja për rolin e saj në interpretimin e Nënë Terezën për të përcjellë një mesazh të fortë human dhe frymëzues.

PJESË NGA INTERVISTA

Si është të përcjellësh një figurë të tillë për një aktore?

Për aktoren është fat i madh, sepse shumë herë themi sa bukur recitove, apo aktrove, por jo. në shpirtin tim është poeti që më bëri nder mua me poezinë e tij të bukur, e në këtë rast Nënë Terezës ndaj së cilës unë përulem, që është një personazh unik.

Çfarë i ke dhënë ti Nënë Terezës me rolin tënd?

I kam dhënë atë farën e personazhit, një grua që nuk është tërë kohën duke thënë “Amen” Zotit! Jo, ajo është një grua shumë e fortë. Ka një diagramë të sajën të jashtëzakonshme që çuditen me atë trupin e saj të vogël shfaqet me punën e saj si ajo bleta punëtore, që ka arritur të prekë gjithçka dhe ka depërtuar gjithkund.

Është me gjithë mend hyjnore ajo grua! Ta zbërthesh në të gjitha drejtime ajo është për mua ... Nuk e di a do të ketë më një Nënë Terezë të dytë! Kaq unike është, kaq e madhe është, kaq shpirtin e madh e ka dhe ashtu e kaloi gjithë jetën e saj. Të të them të vërtetën them me vete se ajo e ka mohuar vetveten.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME AKTOREN JUSTINA ALIAJ