Dita e Ujit të Bekuar 2026/ Besimtarët ortodoksë festojnë pavarësisht motit të keq
Dita e Ujit të Bekuar është kremtuar sot nga besimtarët ortodoksë anembanë vendit, por me kufizime në qytetet ku reshjet e shiut kanë qenë të shumta. Kryepeshkopi Joan bëri sot bekimin e ujit dhe popullit shpresëtar në Kishën e Apostull Pavlit dhe Shën Astit, në qytetin e Durrësit.
Rituali i hedhjes së kryqit u anulua në Durrës, por edhe në Gjirokastër, për shkak të situatës problematike nga moti i keq.
Besimtarët ortodoksë të Fierit u mblodhën në Kishën e Shën Gjergjit për të festuar Ditën e Ujit të Bekuar. Liturgjia e mëngjesit, u drejtua nga Hirësia e Tij Nikolla, mitropoliti i Mitropolisë së Apolonisë.
Hedhja e kryqit u bë në shatërvanin e qytetit.
Po në shatërvani e qytetit u hodh edhe kryqi në Korçë. Ku dita e Ujit të Bekuar në mblodhi besimtarët sipas traditës.
Ata kanë marrë ujin e shenjtë, duke ruajtur një zakon shekullor me shpresën për paqe, shëndet dhe mbarësi gjatë vitit.
Ndërkohë, besimtarët në Berat sfiduan kushtet e vështira atmosferike. Tetë djem të rinj u hodhën në lumin Osum. Kryqi u hodh nga mitropoliti, imzot Asti i ndjekur nga qindra qytetarë.
Në vlorë, i vetmi që u hodh në ujë dhe arriti ta kapte kryqin mes dallgeve ishte 30-vjeçari Mario Nesturi.
Ndërkohë, prifti Kostandin Prifti, në këtë ditë të shënuar, uroi të gjithë besimtarët ortodoksë për shëndet, gëzim dhe paqe, duke uruar gjithashtu një Ditë të Bekuar të Ujit për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen.
Uji i Bekuar simbolizon pastrimin, ripërtëritjen dhe bekimin për besimtarët dhe mjediset ku ata jetojnë e punojnë.
