Muzeu i Onufrit në Berat ka qenë ndër më të vizituarit në vitin 2025

Muzeu ikonografik ‘Onufri’ në qytetin e Beratit ka qënë një nga institucionet kulturore më të vizituara gjatë vitit 2025, duke tërhequr një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj.

Lajmi është bërë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku thekson se për të dytin vit radhazi ky muze kap shifrat e 100 mijë vizitorëve.

Interesi i shtuar për Muzeun e Onufrit dhe jo vetëm është një tregues i qartë se trashëgimia kulturore shqiptare po vlersohet gjithnjë e më shumë nga turistët e huaj por edhe nga vetë qytetarët shqiptarë.

Muzeu ‘Onufri’ i vendosur brenda ambientit  të Katedrales ‘Fjetja e Shën Mërisë’ në Kalanë e Beratit , ekspozon vepra të rralla të ikonografit të njohur Onufri , si edhe punime të mjeshtërve të tjerë të artit postbizantin.

Rritja e numrit të vizitorëve vjen në një kohë kur Shqipëria po njeh zhvillim të ndjeshëm të turizmit kulturor, duke e kthyer trashëgimin historike dhe artistike në një faktor kyc për promovimin e vendit.

Autoritet shprehen se investimet në restaurim, promovim dhe menaxhim të siteve kulturore do të vijojnë me synimin për ta bërë këtë degë një shtyllë të rëndësishme të zhvillimit të qëndrueshëm.