REPORTAZHI/ Në 65-vjetorin e gjimnazit të Rrëshenit, Luan Rama: Rikthim në një pjesë të vetes time
Që prej kur e kam kryer gjimnazin, më parë se dyzet vjet e do muaj më shumë, rikthimet në Mirditë përherë më kalemendin mes kujtimesh, emocionesh, ngjarjesh e përjetimesh që më lidhin me atë kohë; kohën e bukur të rinisë së parë.
Ndërsa rikthimi i mesdhjetorit të vitit që sapo hyri në kalendarin e të vjetërve, i kushtëzuar prej datëlindjes së shkollës, seç më tallazon një det malli e kujtimesh aq sa më ngjan se po kthehem në një pjesë të vetes time, mbetur nëpër ato korridore, nëpër ato mure, në klasën e dikurshme, në bankën e dashur e të paharruar.
Oborri i shkollës është i mbushur plot. Edhe pse më të shumtët janë ish nxënës e ish mësues, të gjithë i harrojmë për një çast vitet, flokët e rënë apo të zbardhur e rrudhat mbi ballë.
Sepse sot jemi të gjithë gjimnazistë, që prej më të parëve, atyre që në historinë e gjimnazit kanë mbetur si maturantët e parë, e deri tek ata që pas pak muajsh do të jenë maturantët e rradhës.
Rrësheni është qytet relativisht i ri. Siç janë në fakt më të shumtët e qyteteve të Shqipërisë.
I themeluar e rritur në kohën e socializmit, hapja e gjimnazit të parë në Mirditë nuk qe vetëm hapja e një shkolle të mesme.
Qe shenja më domethënëse dhe edhe më kuptimplotë e një kapërcimi epokal në fushën e dijes, mësimit, edukimit. Pse jo, edhe të emancipimit shoqëror dhe kulturor gjithaq.
Jo vetëm në kuptimin metaforik, gjimnazi i Rrëshenit qe “universiteti” i Mirditës pas çeljes së dyzet shkollave të para prej “Mësuesit të Popullit” Ndrec Ndue Gjoka, shembulli më unikal që na dëshmon se në ç’realitet qe gjendja e arsimit në Mirditën e pasluftës. Por, edhe se si nisi e ç’luftë u bë për shkollën, për dijen, për kulturën, për emancipimin dhe zhvillimin.
Për shumëkënd sot mund të duket se po flasim për kushedi se sa shekuj më parë, por në fakt është jeta jonë e messhekullit të kaluar, është e vërteta e gjyshërve dhe e prindërve tanë mbetur në gjurmët e historisë që na vjen si kujtesë nderimi dhe reflektimi.
Ndue Gega është mësuesi im i historisë. Ai ka lindur njëkohshëm me qytetin. Ka qenë nxënës i gjimnazit, ka qenë edhe mësues, ka qenë edhe drejtor. Pa asnjë tepri mund të them se ai është në një farë mënyre edhe historia e gjimnazit. Është edhe dëshmitar i rrugëtimit e i rritjes së tij.

Pesë vjet më parë, në gjashtëdhjetë vjetorin e gjimnazit botoi librin “Gjimnazi i Rrëshenit - 60 vjet”. Një përpjekje e fisme për të dokumentuar lindjen dhe ecjen prej ditës së parë e gjithë arritjet e shënuara ndër vite.
Ishte 12 shtatori i vitit 1960, kur me njëzet e një nxënësit e regjistruar si gjimnazistët e parë, (prej të cilëve maturën e kryen pesëmbëdhjetë), nisi udhë arsimi i mesëm në Mirditë.
Drejtori i parë qe shkodrani Isa Alibali. Unë e kam njohur më pas në Shkodër kur shkova për studimet e larta në Universitetin “Luigj Gurakuqi”. Ai qe një prej intelektualëve të respektuar, me kontribute të vyera në fushën e arsimit e të kulturës (drejtor i Teatrit “Migjeni”, i shtëpisë së kulturës dhe krijimtarisë popullore, i shkollës së mesme të muzikës “Prenk Jakova” etj).
Isa Alibali, ndër shumë libra që ka lënë si trashëgimi të çmuar, ka shkruar edhe librin “Si e njoha Mirditën”. Ai na dëshmon se mësuesit e parë bashkë me të qenë edhe Faik Hoti, Osman Uliu, Eqerem Dashi dhe Jani Ormanidhi. Zëvendësdrejtor ishte Sandër Curri.
Ndue Gega na dëshmon se bashkë me Isa Alibalin, përgjatë gjashtëdhjetë e pesë viteve “e kanë drejtuar gjimnazin 24 drejtorë, prej të cilëve pesë kanë qenë gra dhe shtatë ish nxënës të gjimnazit. Më pak se 5 drejtorë kanë qenë të ardhur prej rretheve të tjerë. Matura e vitit 2025 qe matura e 61-të. Ndërkaq, gjimnazin në 65 vjet e kanë kryer mbi pesë mijë maturantë”.
Mirë bënë drejtuesit e shkollës dhe ata të arsimit me organizmin e veprimtarive për të kremtuar 65-vjetorin e çeljes së gjnazit, edhe pse vëmendja, kujtimi e nderimi ndaj këtij përvjetori meritonin më shumë seriozitet.
Prej atij gjimnazi kanë dalë profesorë e shkencëtarë, artistë, poetë, shkrimtarë, publicistë, politikanë, mjekë, inxhinierë, ekonomistë etj, me emër dhe famë në mbarë vendin, që ia nderojnë e lartësojnë emrin gjimnazit të tyre. Prej ish nxënësve të gjimnazit, gjashtë kanë fituar titullin profesor-doktor, pesë të tjerë janë profesorë të asocuar-doktor dhe tetë doktorë shkencash.
Përkujdesja për t’i ftuar emër për emër dhe për të siguruar praninë e tyre do ta bënte edhe më të bukur festën.
Oborri i shkollës ngjan gjithmonë i bukur mbushur me nxënës. Hapat, zërat, bisedat, të qeshurat e tyre janë po aq të rëndësishëm sa vetë procesi mësimor. Tërësia e tyre është vetë jeta e shkollës.
Ndërkaq, prania e brezave të ndryshëm në 65-vjetorin e shkollës, është e një bukurie të veçantë. Sepse përmes tyre shohim rrugëtimin, rritjen, mësojmë biografinë e gjimnazit, ku të gjithë ndjehemi kontributorë e protagonistë. Të gjithë kemi lënë nga një gjurmë.
Nderimi, mirënjohja, vlerësimi i kontributeve vit pas viti, janë shenjë e rëndësishme vëmendjeje që në kësi raste lartësojnë shkollën. Por edhe vetë drejtuesit, institucionet që nuk harrojnë.
Përkundër mospranisë së përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit (edhe vetë zonja ministre do të kishte bërë mirë të ishte e pranishme!), shumë mirë kanë bërë drejtuesit e drejtorive arsimore; ata të drejtorisë rajonale dhe të Mirditës, që ndër shumë emra mësuesish dhe drejtuesish ndër vite, përveçuan shumë syresh për t’i nderuar.
Emocioni është i shpjegueshëm. Ndjehet në hapat e tyre teksa shkojnë pasi dëgjojnë emrin, ndjehet në duart, në fjalët që thonë.
Koha në rrjedhën e saj ka bërë të vetën. Shumë gjëra kanë ndryshuar. Por, mirënjohja, nderimi, krenaria për shkollën nuk ka ndryshuar. Prej tyre sot jemi bashkë. Të gjithë. Edhe ata që për arsye nga më të ndryshmet, nuk e patën mundësinë të vijnë. Të gjithë jemi në emrin e shkollës.
Që prej drejtorit e mësuesve të parë, e bashkë me maturantët e parë të vitit 1964; Dashnor Çekani, Dodë Nikolli, Gjon Çoku, Gjon Bruçi, Gjon Arapi, Gjon Bardhoci, Haki Halili, Halil Lalaj, Kolë Deda, Liljana Lleshi, Llesh Përbasha, Marie Biba, Mark Maca, Pashk Çupi, Pashk Jushi, deri tek gjimnazistët e sotëm, tek ai emër bëhemi bashkë. Aty nuk mungon askush. Asnjë. Anipse vetë shkollën e kanë lënë pa emër.
Prej ditës së parë e për 33 vjet me rradhë shkolla mbante emrin e “Heroit të Popullit” Bardhok Biba. Emri i tij i bënte nder shkollës. Por edhe shkolla e nderonte emrin e mirditorit antifashist e luftëtarit të progresit shoqëror.
Vajza e heroit, Marie Biba ka qenë nxënëse e maturës së parë të gjimnazit “Bardhok Biba”. Si ajo edhe shumë të tjerë në dëftesën e maturës e kanë të shënuar “Shkolla e mesme e Përgjithshme Bardhok Biba” Rrëshen. Pra shkolla ime, shkolla jonë e ka emrin. Nuk gjej asnjë arsye se pse ia kanë “fshehur” emrin shkollës, siç nuk gjej asnjë motiv se përse dikush ka frikë nga emri i heroit.
Ndue Gega, krejt brenda natyrës së tij të ligjërimit e përcolli mesazhin për ata që dinë të degjojnë.
Veprimtaritë artistike kanë qenë një pjesë shumë e rëndësishme e veprimtarisë së shkollës. Kjo tashmë është kthyer në traditë. Eshtë një traditë e bukur që përcillet ndër breza, trashëgohet dhe pasurohet.
Nuk mund të mungonin këngët e vallet e bukura të Mirditës, nuk mund të mungonin poezitë dhe interpretimet e ndjera të nxënësve as në 65 vjetorin e shkollë tonë. Nën ritmin e tyre ndjejmë përkatësinë dhe përbashkësinë tonë.
