RESHJET NË KORÇË/ Rrëshqitje, përmbytje dhe rrugë të bllokuara në të gjithë qarkun

Reshjet e shiut kanë shkaktuar problematika lokale në disa bashki të Qarkut Korçë, ndërsa strukturat përgjegjëse ndodhen në terren për menaxhimin e situatës.

Në Pogradec, në fshatin Dardhas është shënuar rrëshqitje rruge dhe po punohet për krijimin e një bypass-i, ndërsa lumi i Starovës ka dalë në të dy anët e rrugës.

Në Bashkinë Korçë, në fshatrat Çiflig dhe Shamoll është konstatuar prezencë uji pranë disa banesave, por niveli është në rënie.

Rruga për në fshatin Denas mbetet e pakalueshme për shkak të prurjeve të përroit.

Në Devoll, rrugët në Proger dhe Mançurisht janë të përmbytura, ndërsa qendra e fshatit Proger është e pakalueshme për mjetet e vogla.

Në Maliq janë evidentuar shkarje dherash dhe dëmtime rrugore në disa akse, ku është vendosur sinjalistikë dhe po punohet për stabilizimin e situatës.

Probleme janë raportuar edhe në Kolonjë, Pustec dhe në aksin kombëtar Qafë Plloçë–Qukës, ku ka rënie gurësh.

Sa i përket energjisë elektrike, 503 abonentë në rajonin e Korçës janë pa energji, ndërsa ekipet e OSHEE janë në terren.

Situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm dhe po punohet për rikthimin e normalitetit.