VIDEO/ "Fermerët në Frakull humbasin çdo gjë nga përmbytjet", Baçi: Shteti i ka braktisur banorët
Një fermer në zonën Sheq Musalaj, Njësia Administrative Frakull, Bashkia Fier, ka arritur të transferojë rreth 300 krerë dele për t’i shpëtuar nga përmbytjet e shkaktuara nga rritja e nivelit të ujit.
Situata është denoncuar nga deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, i cili ndodhet në terren dhe raporton se përmbytjet kanë prekur në masë të plotë tokat bujqësore dhe serrat e banorëve të zonës.
Sipas deputetit Baçi, drejtuesit e pushtetit vendor dhe lokal ndodhen aktualisht pranë urës së Mifolit, ku po monitorojnë nivelin e lumit Vjosë, ndërkohë që mungojnë në zonat më të prekura nga përmbytjet.
“Në fakt, institucionet duhet të ishin këtu, pranë banorëve, që po përballen drejtpërdrejt me dëmet në tokat dhe serrat e tyre, të cilat janë përmbytur plotësisht,” është shprehur Baçi.
Banorët e Frakullës kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe mbështetje nga shteti për të vlerësuar dëmet e mëdha që kanë pësuar.
