VIDEO/ 7 vite pa pastruar kanalin, një biznes i shkatërruar totalisht nga uji në Dukagjin të Thumanës
Një situatë e rëndë përmbytjesh është regjistruar në zonën e Dukagjinit, Miliska, në njësinë administrative Thumanë, Krujë. Si pasojë e reshjeve dhe mungesës së mirëmbajtjes së infrastrukturës kulluese, një biznes lokal është përmbytur plotësisht.
Sipas pamjeve nga terreni, uji ka mbuluar çdo hapësirë, duke e bërë të pamundur funksionimin e aktivitetit dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. “Të shikon syri vetëm ujë nga të gjitha anët,” shprehen banorët.
Banori i zonës, Tonin Marku, thekson se kanali kullues nuk është pastruar prej rreth 7 vitesh. “Kanali është lënë në harresë. Hera e fundit që është pastruar ka qenë para shtatë vitesh. Kjo është arsyeja pse çdo reshje e fortë na përmbyt,” deklaron ai.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për pastrimin e kanaleve dhe rehabilitimin e infrastrukturës, për të shmangur përsëritjen e këtyre situatave që po rrezikojnë bizneset dhe jetesën e komunitetit lokal.
