Banesat e përmbytura në Durrës, banorja në lot: Shteti nuk po na ndihmon, dua dëmshpërblim

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të Durrësit, duke prekur banesa dhe rrugë.

Banorët e prekur nga situata tregojnë se shtëpitë e tyre janë mbuluar nga uji dhe se nuk po marrin ndihmë të menjëhershme nga autoritetet.

“Dua dëmshpërblim nga shteti, por nuk më hapin telefonin,” thotë një prej banoreve të prekura, duke reflektuar shqetësimin e komunitetit.

Banesa e tyre vazhdon të jetë e mbushur me ujë dhe e rrethuar nga uji, i cili ka dëmtuar orenditë, pajisjet elektroshtëpiake dhe çdo send të domosdoshëm për jetesën e përditshme.

Një tjetër thotë se është detyruar që fëmijët e saj ti çoj në Lushnje, teksa vetë merret me pastrimin e shtëpisë dhe me dëmet që janë shkaktuar. Ajo shton gjithashtu se pret ndihmë nga autoritetet përkatëse pasi askush nuk ka ardhur për të pyetur.