Situata nga reshjet në Korçë / Strukturat në gatishmëri të plotë

Sipas informacionit nga strukturat vendore të mbrojtjes civile dhe institucionet përgjegjëse, reshjet e natës kanë shkaktuar kryesisht problematika të izoluara, ndërsa situata në përgjithësi është e qetë.

Bashkia Korçë: Prezencë uji pranë banesave në fshatrat Çiflig dhe Shamoll (Njësia Administrative Bulgarec). Rruga për fshatin Denas (Njësia Lekas) është e pakalueshme për shkak të prurjeve të përroit; ndërhyrjet janë duke u kryer.

Bashkitë Kolonjë, Maliq, Devoll dhe Pustec: Nuk raportohen emergjenca apo dëme.

Bashkia Pogradec: Në fshatin Dardhas ka pasur një rëshqitje dheu; po punohet për rikthimin e kalueshmërisë.

ARRSH – Rajoni Qendër–Lindje: Në aksin Lozhan–Moglicë ka patur rënie gurësh dhe rrëshqitje dherash; qarkullimi vijon me kufizime të përkohshme gjatë ndërhyrjeve.

Drejtoria Rajonale e Ujitjes dhe Kullimit: Çarje në argjinaturën e përroit të Oshticës (Bilisht); ndërhyrja do të bëhet sapo të ulen prurjet. Lumi Dunavec ka prurje të konsiderueshme, por aktualisht nuk paraqet rrezik.

OSHEE: 502 abonentë pa energji në N/Stacionin Lozhan (Fideri 9) dhe 1 abonent në Leskovik (Farma Sotira). Ekipe në terren për rikthim të furnizimit.

Të gjitha strukturat përgjegjëse janë në gatishmëri të plotë dhe situata po monitorohet vazhdimisht.