Trump “burgos” Maduron, ish-ambasadori Roland Bimo: Operacioni, ishte ushtarak, jo policor! Ja arsyet që "zbarkuan" SHBA-të në Venezuelë

Ish-ambasadori shqiptar në SHBA, Roland Bimo, në një intervistë për “Ora News” komentoi zhvillimet më të fundit që vijnë nga Shtëpia e Bardhë pas ndërhyrjes së trupave amerikane në Veenezuelë që kulmuan me arrestimin e Nikolas Maduros dhe bashkëshortes së tij në Pallatin Presidencial.

“Nga një këndvështrim kjo është pjesë e premtimeve të bëra gjatë fushatës elektorale nga Presidenti Trump.

Ndërkohë, kjo është po aq jashtë këtyre premtimeve aq a të bën të mendosh se kush po qeveris: A është Presidenti Trump, apo një qeveri e ndikuar nga lobet dhe interesat e ditës në SHBA, apo është kandidati Trump që kishte bërë gjithë ato premtime?!

Premtimet të cilat po mbahen janë ato që kanë të bëjnë me shkelmin e rendit të vjetër botëror, i cili për SHBA-të është demode dhe nuk i përgjigjet situatave dhe duhet të ndërtohet një rend i ri nga e para, i bazuar në parime të tjera.

Ndërkohë e bën brenda retorikës elektorale sa i përket drogës dhe emigracionit ilegal.

Në fakt, operacioni zhvillohet në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Nju Jorkut që e akuzon Presidentin e Venezuelës Maduro për trafik droge dhe si narko-terrorist.

Po të shikojmë në SHBA drogërat që hyjnë atje në sasi shqetësuese është fentanili që futet me sasi të mëdha me burime nga Kina, që pavarësisht vjen në formën e lëndëve të para që futen në Meksikë, në SHBA dhe në Kanada dhe ky është problemi kryesor në SHBA, po ashtu edhe kokaina.

Dhe më të lumturit nga ky operacion ishin britanikët sepse ata ndikohen më shumë nga kokaina që vjen nga Kolumbia përmes Venezuelës.

Natyrisht, një pjesë e kokainës futet në SHBA, por justifikimi me drogën nuk duket të jetë më bindësi, megjithëse për SHBA-të dhe presidentin Trump ka një peshë politike të caktuar.

Elementi tjetër që është trumbetuar me të madhe është mbrojtja e demokracisë, se Maduro ishte një diktator dhe i tillë ishte. Ishte një udhëheqës jo legjitim, pasi zgjedhjet në vitin 2024 ishin të manipuluara dhe kjo e bën aksionin e SHBA-së më legjitim.

Sa i përket operacionit, nga ana e SHBA-së është thënë se ky nuk ishte një agresion ushtarak, por një aksion policor për të arrestuar dikë të cilin Gjykata e Njujorkut e ka shpallur fajtor.

Por po të shikosh konferencën për shtyp të z. Trump aty nuk kishte asnjë zyrtar të FBI-së apo policisë së Nju Jorkut, por ishte Sekretari për Mbrotjen i SHBA-së dhe i gjithë suksesi i dedikohet ushtarakëve dhe jo forcave policore. Kështu që ka një mospërputhje nga mënyra se si janë prezantuar këto në publik.

Janë gjëra që në pamje të parë nuk bien shumë në sy, por kur vjen puna për të argumentuar, këto detaje kanë rëndësinë e tyre.

A ishte pra operacion policor, apo ushtarak?!

Duket fare qartë që me armatën më të madhe në historinë e Amerikës, në detin e Karaibeve, duke fare qartë që nuk kemi të bëjmë fare me një operacion policor, por me një operacion të mirëfilltë ushtarak”, u shpreh ndër të tjera ish-ambasadori shqiptar në SHBA, Roland Bimo.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME DIPLOMATIN ROLAND BIMO