JUVENTUS SYNON KESSIÉ/ Prioriteti i merkatos së janarit mbetet përforcimi i mesfushës

Juventusi po orienton merkaton e janarit drejt mesfushës dhe ka rikthyer në vëmendje pistën Franck Kessié, i cili po shqyrton mundësinë e largimit nga Al Ahli. Klubi torinez po vlerëson fizibilitetin ekonomik të operacionit, ndërsa pengesa kryesore mbetet niveli i pagës së lojtarit.

Pavarësisht penalltisë së humbur nga Jonathan David dhe polemikave që pasuan, merkatoja e Juventusit për muajin janar pritet të fokusohet kryesisht në mesfushë dhe jo në repartin ofensiv.

Prioriteti i trajnerit Luciano Spalletti është përforcimi i linjës së mesit, ku po shqyrtohen disa alternativa, mes tyre Davide Frattesi, Guido Rodríguez dhe, së fundi, rikthehet në qendër të vëmendjes edhe emri i Franck Kessié.

Klubi torinez po vlerëson mundësitë për të ndërhyrë me një operacion të qëndrueshëm financiarisht, duke marrë në konsideratë politikat e kostove dhe pagave.

Kessié, ish-lojtari i Milanit dhe Atalantës, aktualisht është i angazhuar në Kupën e Afrikës me Kombëtaren e Bregut të Fildishtë, por sipas raportimeve nga mediat italiane nuk është më plotësisht i bindur për vazhdimin e aventurës së tij në Arabinë Saudite me Al Ahli.

Klubi arab po planifikon afrimin e emrave të rinj të profilit të lartë, ndërsa mesfushori 27-vjeçar po konsideron mundësinë e rikthimit në Europë, por vetëm nëse arrin një lirimin e parakohshëm nga kontrata aktuale.

Juventus e kishte vëzhguar lojtarin edhe gjatë verës dhe sipas “La Stampa”, interesimi mbetet aktiv: drejtori sportiv Marco Ottolini po studion fizibilitetin e marrëveshjes.

Pengesa kryesore lidhet me nivelin e lartë të pagës së lojtarit. Kessié përfiton rreth 14 milionë euro në sezon deri më 30 qershor, dhe pikërisht afati relativisht i shkurtër i kontratës shihet si elementi ku mund të negociohet një kompromis ekonomik.

Nëse Al Ahli do të pranonte të kontribuonte ndjeshëm në mbulimin e pagës – një formulë që po shihet edhe në tratativat Inter-Cancelo – atëherë transferimi drejt Juventusit do të bëhej më realist.

Klubi bardhezi sheh te Kessié një profil fizik, taktikisht të formuar për Serie A dhe të aftë të sjellë eksperiencë dhe stabilitet në mesfushë, ndërsa vendimmarrja do të kushtëzohet nga balanca mes nevojës sportive dhe kufizimeve buxhetore.