“e-Albania” jashtë funksionit, qytetarët dhe bizneset pa shërbime online
Platforma shtetërore “e-Albania” vijon të ketë probleme në ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset, edhe këtë të diel. Përdoruesit raportojnë vështirësi për regjistrime, kryerje pagesash dhe aplikime për dokumente si mjet identifikimi apo pasaporta.
Sipas një njoftimi zyrtar të Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, problemi vijon për shkak të operacioneve të mirëmbajtjes dhe përmirësimit të sistemit elektronik. Ndërprerjet dhe ngadalësimet në shërbime mund të vazhdojnë, ndërsa autoritetet kërkojnë mirëkuptimin e qytetarëve dhe bizneseve.
Aleanca për Profesionistët e Lirë ka kërkuar sqarime për shkakun dhe kohëzgjatjen e ndërprerjes, duke theksuar se mosfunksionimi i platformës krijon pasiguri ligjore, vonesa procedurale dhe kosto shtesë për bizneset dhe profesionistët e lirë.
Problemet e platformës kanë prekur edhe shërbime themelore për individët, si regjistrimi i fëmijëve të porsalindur dhe rinovimi i pasaportave, duke e bërë këtë situatë shqetësuese sidomos në periudhën e fundvitit.
