Inspektohen masat e fundvitit në Kakavijë/ Drejtori për Sigurinë Publike: Pikat kufitare të gatshme për fluksin e festave

Drejtorët e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin dhe të Departamentit për Sigurinë Publike, Saimir Muçaj dhe Dhimitraq Ziu, kanë zhvilluar një inspektim në pikën kufitare të Kakavijës, për të verifikuar zbatimin e masave të sigurisë gjatë periudhës festive të fundvitit dhe ditëve të para të Vitit të Ri 2026.

"Janë intensifikuar masat për monitorimin e qarkullimit rrugor dhe patrullimet në çdo lagje, shesh e rrugë. Bëj thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe prindërve të mos lejojnë fëmijët të përdorin lëndë piroteknike."- deklaroi gjatë inspektimit Dhimitraq Ziu.

Ndërkaq Saimir Muçaj tha se pikat kufitare janë në gatishmëri për flukset e shtuara në këtë periudhë festash.

"Pikat e kalimit kufitar janë të përgatitura për flukse të shtuar, me shtim të sporteleve dhe personelit. Bashkëpunimi me Policinë Kufitare greke po vijon pa ndërprerje për të lehtësuar kalimin dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe vizitorëve."- tha Drejtori i Departamentit për Kufirin. 

Mësohet se për periudhën festive janë angazhuar edhe Forca Kombëtare e Sigurisë dhe RENEA, ndërsa qytetarët ftohen të denoncojnë çdo paligjshmëri në numrin 112, të tregojnë durim gjatë qarkullimit dhe të përdorin mjetet e transportit publik nëse konsumojnë alkool.