MOTI NË VEND DHE EUROPË/ Situata meteorologjike për sot dhe nesër (28-29 dhjetor, 2025)
Europa Lindore dhe Juglindore do të mbeten nën ndikimin e një qendre të fuqishme ciklonare, e cila do të sjellë reshje të dendura dëbore dhe temperatura të ulëta, ndërsa brigjet e Detit të Zi do të përjetojnë rrebeshe shiu dhe erë të fortë. Pjesa më e madhe e kontinentit, përfshirë Ballkanin, do të ketë mot të kthjellët, por të ftohtë.
Shqipëria – E Diel, 28 Dhjetor
Territori shqiptar do të vijojë me mot kryesisht të kthjellët dhe temperatura të ulëta; pas mesditës vranësirat do të shtohen në zonat malore pa reshje. Temperaturat do të luhaten nga -4°C deri në 14°C. Era do të fryjë veriore deri në 45 km/h, duke krijuar dallgëzim mbi 2 ballë.
Rajoni dhe Europa – E Hënë, 29 Dhjetor
Reshje shiu dhe dëbore do të përfshijnë Alpet, Europën Lindore dhe rajonin e Baltikut, ndërsa pjesa tjetër e kontinentit do të dominohet nga mot i kthjellët dhe i ftohtë si pasojë e masave ajrore verilindore.
Shqipëria – E Hënë, 29 Dhjetor
E hëna do të jetë dita më e ftohtë e javës, me kthjellime në paradite dhe vranësira në orët e pasdites e mbrëmjes. Temperaturat do të bien ndjeshëm, nga -6°C deri në 12°C. Era do të fryjë verilindore mbi 35 km/h, me dallgëzim të ulët në brigje.
