DOSJA E AKSHI-t/ Rama: Akuzat ndaj Karçanajt janë të llahtarshme, të presim me durim fjalën e drejtësisë
Në nisje të episodit të fundit për këtë sezon të podkastit “Flasim”, Kryeministri Rama bëri një përmbledhje të çështjeve kryesore të javës.
Rama foli për zhvillimin e teknologjisë ku theksoi se Shqipëria renditet 54 vende më lart në qeverisjen digjitale.
DEKLARATA E RAMËS
Banka Botërore ka publikuar GovTech Maturity Index 2025, ose e thënë shqip, raportin që njëherë në 2-3 vite vlerëson 197 vende të botës për nivelin e transformimit digjital të sektorit publik.
E di që sot AKSHI përballet me një hetim nga SPAK-u për përdorimin e fondeve dhe Linda, gruaja që ka udhëhequr jetësimin e vizionit tonë qeverisës, për transformimin historik digjital të qeverisjes së Shqipërisë, me dije, vullnet e përkushtim të përditshëm për 12 vjet me radhë, gjendet nën një mase sigurie me një akuzë të hatashme, për të cilën duhet pritur me durim vetëm nga drejtësia e s’mund të pritet asgjë nga 700 tenxheret e çorbës politike mediatike, që të dalë dalja deri në fund e vërteta e saj cilado qoftë ajo.
Por unë di po ashtu, që falë saj dhe skuadrës së AKSHI-it, ku punojnë pa orar plot vajza e djem të talentuar të botës së re të teknologjisë, Shqipëria ka bërë një kapërcim të madh, krahasuar me vitin 2022 kur ka dalë raporti paraardhës i Bankës Botërore për qeverisjen digjitale.
Këtë herë, jo vetëm vijojmë të renditemi në Grupin A – i quajtur grupi me Maturitet të Lartë, ku kemi 0.939 pikë nga 1 që është maksimumi, por falë një rritjeje të ndjeshme, krahasuar me raportin paraardhës, ku kishim 0.752, këtë vit kemi kaluar nga vendi i 68-të në vendin e 14-të, mes gjithë atyre vendeve, duke lënë pas pikërisht falë punës e vullnetit për ta vënë teknologjinë e re në shërbim të publikut dhe të zhvillimit të Shqipërisë, vende me emër të madh, si Danimarka, Singapori apo Mbretëria e Bashkuar, e me radhë.
Ky është një raport objektiv dhe profesional, i cili vlerëson katër fusha kryesore, që mbulojnë sistemet bazë qeveritare, shërbimet publike online, angazhimin digjital të qytetarëve dhe faktorët mundësues institucionale e ligjorë, dhe pa diskutim nuk justifikon absolutisht asnjë shkelje të ligjit që pretendohet se ka ndodhur në aktivitetin e AKSH-it, gjë që mund të na e thotë vetëm procesi gjyqësor, por nga ana tjetër e gjithë zhurma histerike e 700 tenxhereve të çorbës politike mediatike, nuk e zhbën dot rezultatin fantastik të Shqipërisë, në këtë fushë të veprimtarisë së AKSHI-t, që mund ta verifikoni lehtësisht përmes linkut të raportit.
Linku i raportit gjendet në faqen e Bankës Botërore:
https://www.worldbank.org/content/programs/govtech/en/gtmi-2025-update.html

