Përzgjidhen 24 qendra votimi për verifikimin paszgjedhor të zgjedhjeve të 9 nëntorit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hodhi sot shortin për përcaktimin në mënyrë rastësore të qendrave të votimit që do t’i nënshtrohen verifikimit paszgjedhor, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie të datës 9 nëntor 2025.
Verifikimi paszgjedhor kryhet në zbatim të Kodit Zgjedhor dhe bëhet vetëm pasi të jetë shpallur rezultati përfundimtar, të jenë përmbyllur procedurat ankimore dhe zgjedhjet të kenë përfunduar.
Për verifikimin paszgjedhor u përzgjodhën në mënyrë rastësore 5% të qendrave të votimit për çdo KZAZ.
Në zgjedhjet e datës 9 nëntor 2025 janë administruar gjithsej 472 kuti votimi dhe duke qenë se për këto zgjedhje nuk pati ankimime zgjedhore, shortit iu nënshtruan të gjithë QV-të.
Përzgjedhja u bë për çdo bashki dhe KZAZ veçmas, duke respektuar kriterin që çdo zonë të trajtohet në mënyrë të barabartë.
Nga përzgjedhja rezulton se do t’i nënshtrohen verifikimit paszgjedhor 24 QV në total.
Qëllimi i këqyrjes së mëpasshme të fletëve të votimit dhe e materialit zgjedhor është verifikimi i rregullsisë dhe saktësisë së veprimtarisë së administratës zgjedhore përgjatë administrimit të procesit dhe vlerësimit e numërimit të votave.

