Deti në tryezën diplomatike/ Diplomaci aktive Shqipëri-Greqi, hapet kapitull i ri bashkëpunimi dypalësh
Një “erë e re” pritet të fryjë në marrëdhëniet Shqipëri–Greqi.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvillon nesër një vizitë zyrtare në Athinë, ku do të takohet me homologun e saj grek, Giorgos Gerapetritis.
Takimi vjen në një moment të rëndësishëm për dy vendet, me pritshmëri të larta për avancimin e dialogut politik dhe zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull.
Mediat ne greqi shkruajn se në tryezë do të jenë dy tema sensitive: përcaktimi i kufijve detarë dhe çështjet e kufijve tokësorë, për të cilat palët synojnë një qasje konstruktive dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Ndërsa më herët në një intervistë për gazetën greke TA NEA, Spiropali deklaroi se takimi do të ketë një qasje “360 gradë”, duke përfshirë energjinë, sigurinë rajonale, mjedisin, transformimin dixhital dhe turizmin.
Ajo e cilësoi Greqinë si partner strategjik dhe theksoi synimin për të hapur “kapitullin më të mirë deri më tani” në marrëdhëniet dypalëshe.
Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit mbetet marrëveshja për pensionet dhe sigurimet shoqërore, që prek drejtpërdrejt mijëra shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi.
Qeveritë e dy vendeve po finalizojnë një marrëveshje që garanton njohjen e kontributeve dhe mbrojtjen e viteve të punës.
Spiropali vuri theksin edhe te mbështetja e Greqisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, veçanërisht në prag të Presidencës greke të BE-së në vitin 2027, duke e cilësuar Ballkanin Perëndimor si një prioritet strategjik për Evropën.
Takimi në Athinë shihet si një sinjal i qartë për forcimin e dialogut, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit afatgjatë mes dy vendeve.
