Xhixho: Rritja e çmimeve problemi kryesor i shqiptarëve, qeveria po pasurohet nga TVSH-ja e ushqimeve
Rritja e çmimeve mbetet shqetësimi kryesor për shumicën e shqiptarëve, ndërsa fuqia blerëse vazhdon të bjerë.
Deputetja Erisa Xhixho, duke iu referuar të dhënave të “Barometrit të Ballkanit 2025”, thekson se 72% e qytetarëve e konsiderojnë koston e jetesës problemin kryesor, në një kohë kur Shqipëria ka pagën minimale dhe pensionet më të ulëta në Europë, por paguan ushqimet më shtrenjtë se vendet fqinje.
Ajo kritikon politikën fiskale të qeverisë, e cila, sipas saj, po rëndon qytetarët përmes TVSH-së së lartë mbi ushqimet bazë.
Postimi:
72% e shqiptarëve thonë se rritja e çmimeve është problemi kryesor i jetesës (Barometri i Ballkanit 2025). Me fuqinë blerëse më të ulët në Europë, paga minimale dhe pensione minimale, shqiptarët paguajnë ushqimet më shtrenjtë se fqinjët.
Ndërkohë që Kosova ka TVSH 8% për ushqimet, Maqedonia 5% dhe Italia 4%, në Shqipëri TVSH-ja për ushqimet bazë është 20%.
Pensionistët shpenzojnë deri 90% të të ardhurave vetëm për ushqim.
Çmimet rriten, të ardhurat e qeverisë rriten. Vetëm nga TVSH-ja janë mbledhur 499 miliardë lekë në 8 muajt e parë të 2025.
Ndërkohë maxhoranca në Komisionin e Ligjeve votoi kundër propozimit të Partisë së Lirisë për uljen e TVSH-së nga 20% në 5% për produktet ushqimore të shportës që mund të ndikojë direkt në uljen e çmimeve.
Kjo nuk është ekonomi. Është zhvatje fiskale që pasuron pakicën dhe varfëron shumicën.
