ZV/KRYEMINISTRJA RIKTHEHET AKTIVE/ Nga mbledhja e grupit të PS në Kryeministri, Balluku vijoi normalisht detyrat zyrtare, pas vendimit të Kushtetueses
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku u rikthye në detyrë pasi Gjykata Kushtetuese ngriu efektet e pezullimit të vendosur nga Gjykata e Posaçme. Ajo vijoi normalisht aktivitetin zyrtar, duke marrë pjesë edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, pa dhënë komente publike.
Zëvendës kryeministrja Belinda Balluku iu rikthye normalisht ushtrimit të funksioneve zyrtare si numri dy I qeverisë dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, pasi Gjykata Kushtetuese ngriu efektet e pezullimit të caktuar nga Gjykata e Posaçme.
Iu bashkua edhe mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste mbajtur këtë të hënë nën drejtimin e liderit të Mazhorancës Edi Rama, ku siç mësohet u koordinuan qëndrimet mes qeverisë dhe deputetëve për seancën e fundit apo zhvillime të tjera.
Në hyrje dhe largim, nuk pati asnjë koment. Pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS, Zëvendës kryeministrja vijoi axhendën e punës sipas planifikimit në zbatim të funksioneve zyrtare.
Zëvendëskryeministrja, u rikthye në detyrë të premten, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka ngrirë efektet e masës ndaluese të Gjykatës së Posaçme, duke pranuar ankimimin e kryeministrit Edi Rama, i cili e cilësoi vendimin si cenim të ndarjes së pushteteve dhe kompetencave kushtetuese të qeverisë.
Kreu i qeverisë i kërkon Gjykatës Kushtetuese të japë një interpretim autentik të nenit 103/3 të Kushtetutës, për të sqaruar shtrirjen e mbrojtjes kushtetuese ndaj masave penale që prekin ushtrimin e funksionit ministror.
Kushtetuesja më 22 Janar do të shqyrtojë çështjen me themel, bashkë edhe me një interpretim të ligjit me efekte për të ardhmen.

