“VJEDHJET” NË KOMBINAT/ Bashkëpunimi fiktiv për fondet e bashkisë. Mori lekë për 15 pallate, por vetëm 6 demoloi! “Ortaku”: Shyqyri Maloku lidhi marrëveshje, por punët i bëri i vetëm
Shyqyri Maloku administrator i kompanisë "Arb&Trans-2010" rezulton se edhe pse kishte lindur një marrëveshje bashkëpunimi me shoqërinë “Klajger Konstruksion”, kjo e fundit nuk kishte kryer asnjë punë në demolimin dhe evadimin e pallateve.
Kjo e dhënë doli nga dëshmia e Sadik Lumit, i cili rezulton se është administrator i kompanisë “Klajger Konstruksion”.
Sadik Lumi: “Është e vërtetë që kemi lidhur një kontratë me 11 gusht 2021 për demolimin dhe evadimin e 15 pallateve të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019.
Është përcaktuar dhe pjesa takuese e punimeve për secilin operator, por për momentin nuk jam në gjendje të them se sa për qind të punimeve kemi rënë dakord të bëjë subjekti i im “KLAJGER Konstruksion” shpk.
Deklaroj se pavarësisht kësaj marrëveshjeje, subjekti “KLAJGER Konstruksion” shpk nuk ka kryer asnjë punim në demolimin dhe evadimin e materialeve ndërtimore për 15 pallatet e dëmtuara nga tërmeti.
Të gjitha punimet janë kryer nga subjekti “Arb & Trans -2000” shpk dhe besoj se janë kryer në zbatim të kontratës së lidhur me bashkinë e Tiranës. Unë nuk kam përfituar asnjë vlerë monetare nga kjo kontratë.
Pagesat, bashkia Tiranë i ka bërë për punimet e kryera subjektit “Arb & Trans -2000” shpk .
Nuk jam në gjendje të them se kur ka vazhduar demolimi dhe evadimi i mbetjeve ndërtimore për pallatin nr. 140 apo për të gjithë pallatet. Unë kam nënshkruar vetëm kontratën pas shpalljes si fitues i B.O.E për procedurë”.
Po ashtu, sipas Prokurorisë rezulton së kompania e babait të Arben Malokut një person ky i lidhur ngushtësisht me kryebashkiakun e burgosur për korrupsion dhe pastrim parash, Erjon Veliaj, ka kryer demolimin dhe evadimin për 6 pallate dhe jo për 15, si thuhet në shkresa.


