SKEMË FAJDESH/ Pastronin para nëpërmjet dy pikave "Exchange", arrestohen 3 shtetas dhe shpallet 27-vjeçari në kërkim

Policia ka zbuluar një skemë fajdesh dhe pastrimi parash që funksiononte në dy pika të këmbimi valutor, një në Tiranë dhe një në Gjirokastër.

Uniformat blu kanë arrestuar 3 persona, të identifikuar me iniciale R. K., 56 vjeç, i cili rezulton të jetë pronari i dy “Exchange”-eve,  L. K., 59 vjeç, që sipas burimeve rezulton të jetë vëllai i pronarit, P. K., 28 vjeç, i biri i 59-vjeçarit dhe shtetasi B.K., 27 vjeç, ky i fundit djali i pronarit të pikave të këmbimit valutor.

27-vjeçari ndërkaq është shpallur në kërkim.

Shtetasit janë të gjithë nga fshati Kordhocë i Lazaratit.

Burimet bëjnë me dije se skema e tyre funksiononte nëpërmjet dhënies së parave me fajde, për të cilat mendohet se janë përdorur për veprimtari kriminale.

Pastrimi i parave realizohej nëpërmjet pikave të “Exchange”.

Sakaq, blutë kanë sekuestruar nga pikat e këmbimit dhe banesave të tyre një shumë të madhe parash. Bëhet fjalë për 26, 963, 200 lekë, 132,760 euro, 42,596 dollarë amerikanë, 8,780 paund britanikë, 10,380 franga zvicerane, 3,145 dollarë kanadezë, 85,720 lira turke.
Përpos parave janë sekuestruar 18 blloqe me shënime, 6 kompjuterë, 6 celularë dhe pajisje dhe dokumente të tjera lidhur me hetimin.

Tashmë mbi këta katër shtetas rëndojnë akuzat për veprat penale të “Skema mashtruese dhe piramidale”, “pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “fshehja e të ardhurave”.

Hetimet po vijojnë për kapjen e shtetasit B.K. 27 vjeç.