Pas “telenovelës së verës” me Lapajn, "do qajë hallet" e Popullit, Endrit Shabani falendëron PS-në: Jam i prekur nga votëbesimi juaj

Endrit Shabani u zgjodh mbrëmjen e djeshme si Avokati i ri i Popullit.

Shabani nuk është një emër i panjohur për publikun. Prej vitesh ai ka qenë aktivist i shoqërisë civile, drejtues i Parlamentit Rinor, kryetar i ‘Nismës Thurje’ dhe anëtar i Këshillit Bashkiak Tiranë.

Dhe në zgjedhjet parlamentare të 11 majit ai kandidoi për deputet në koalicion me Adriatik Lapajn, por historia paszgjedhore të një beteje të paprecedent se kush do ta merrte mandatin e dpeutetit tejkaloi në nivele gati groteske.

Dhe tashmë ajo telenovelë që zgjati disa muaj duket se u zgjidh mbrëmjen e djeshme, ku Shabani fitoi zemrat e socialistëve të cilët e votuan në bllok së bashku me votat e PSD-së si Avokat të Popullit.

Dhe Shabani pak orë pas votimit ka dalë me një mesazh urimi për votëbesimi prekës.

REAGIMI I PLOTË I ENDRI SHABANIT

Mbrëmë mora për kandidaturën time si Avokat i Popullit një votëbesim sa të rëndësishëm dhe personalisht prekës, aq edhe surprizues për nga dinamika e zhvillimit në sallën e Kuvendit.

Mbetem akoma i befasuar me deputetët e opozitës, të cilët fillimisht më inkurajuan me dashamirësi, më dhanë firmat e tyre sipas ligjit dhe më uruan sukses, por më pas vendosën ta braktisnin kandidaturën time a thua se nuk ishte e tyrja.

Nga ana tjetër, deputetët e mazhorancës, fillimisht refuzuan të më jepnin qoftë edhe një firmë, megjithëse disa prej tyre i kam miq, me argumentin se PS nuk do të hynte në këtë punë të opozitës, por në momentin final më votuan që të gjithë, madje me votë të fshehtë, duke më besuar detyrën e Avokatit të Popullit.

E gjithë kjo dinamikë ishte diçka që s’do ta besoja dot po të ma tregonin më parë dhe nuk e lija dot pa e shënuar.

Megjithatë, me keqardhje për vijën e pakuptueshme të partisë së tyre, dua t’i falënderoj sinqerisht 35 deputetët e opozitës, të cilët me firmat e tyre më dhanë mundësi të kandidoj për këtë funksion kushtetues. I siguroj se nuk do t'u jap arsye për të menduar ndonjëherë se bënë gabim që më mbështetën në fillim apo se bënë gjënë e duhur që nuk më votuan në fund.

Gjithashtu, nuk mund të mos i falënderoj po aq sinqerisht deputetët e mazhorancës, pavarësisht se jam i vetëdijshëm që, më shumë se për mua, vota e tyre ishte një akt pjekurie politike për të zgjidhur ngërçin e stërzgjatur të institucionit dhe hedhur një hap domethënës për procesin e negociatave, ku ky ngërç shënohej si detyrë e pakryer shtëpie.

Dua të vlerësoj në veçanti faktin që duke më dhënë votën, deputetët e mazhorancës i dhanë përparësi si skuadër funksionimit të shtetit, dhe kapërcyen njerëzisht faktin që unë, si aktivist i angazhuar në radhët e opozitës, kam bërë dhe thënë gjëra për të cilat me siguri nuk iu ka ardhur mirë.

U shpreh respekt për nivelin dallueshëm më të lartë politik dhe i siguroj se në kryerjen e kësaj detyre të rëndësishme do të bëj më të mirën për të gëzuar respektin e të gjithëve.

Faleminderit!