Kaosi te Liverpooli, trajneri Slot nuk e grumbullon ‘Faraonin’ për ndeshjen me Interin

Te Liverpooli ka shpërthyer një tjetër vatër tensioni dhe në qendër të gjithçkaje është Mohamed Salah.

Sulmuesi egjiptian nuk do të udhëtojë drejt “San Siros” për ndeshjen e rëndësishme të Champions League kundër Interit, pavarësisht se ai mori pjesë normalisht në stërvitjen e fundit, duke u shfaqur madje i buzëqeshur.

Vendimi për ta lënë jashtë ka ardhur si pasojë e një përplasjeje të ashpër mes Salah dhe trajnerit Arne Slot pas barazimit të rëndë kundër Leeds.

Sipas burimeve të brendshme, debati ka qenë i nxehtë dhe drejtuesit, së bashku me trajnerin, kanë vendosur të marrin masa disiplinore, duke e përjashtuar nga lista e të grumbulluarve për duelin me zikaltrit.

Qartazi bëhet fjalë për një zgjedhje ndëshkuese, jo për arsye teknike apo fizike.

Ky është vetëm episodi i radhës në një sezon të trazuar për “Reds”.

Skuadra angleze ndodhet në mesin e tabelës së Premier League, shumë larg objektivave të saj tradicionalë, ndërsa në Champions League ka rënë jashtë Top-10 për nga paraqitjet dhe rezultatet.

Situata brenda klubit po tensionohet dita-ditës, dhe rasti ‘Salah-Slot’ mund të ketë pasoja edhe më të thella në balancat e dhomës së zhveshjes.

Në një moment kur Liverpooli ka nevojë për qetësi dhe unitet, përjashtimi i ‘yllit’ të ekipit shton dilemat për të ardhmen dhe rrit presionin mbi Slot, i cili tashmë po përballet me sfidën më të vështirë te Liverpool-i.