Tension te Real Madridi, Xabi Alonso në ‘fije të perit’, ndeshja me City-n shansi i fundit
Kriza ka goditur fort “Casa Blanca”-n dhe ndeshja e së mërkurës në Champions League kundër Manchester City-t do të jetë prova e fundit për Xabi Alonso-n.
Pas humbjes së rëndë 2-0 në ‘Bernabeu’ ndaj Celta Vigo-s, drejtuesit madrilenë kanë qëndruar deri në orët e vona të natës duke diskutuar mbi të ardhmen e trajnerit bask, i cili mori drejtimin e ekipit pas largimit të Carlo Ancelotti-t.
Sipas medieve spanjolle, besimi te Xabi Alonso tashmë është “i kushtëzuar” dhe ka një afat shumë të shkurtër. Humbja ndaj Celta Vigo-s, por mbi të gjitha mënyra e zbehtë e lojës, kanë ngritur alarmin në klub.
Nëse Real Madridi do të pësojë edhe një tjetër goditje të rëndë kundër skuadrës së Pep Guardiolës, shkarkimi do të jetë praktikisht i pashmangshëm.
Për momentin, trajneri ka marrë një shans të fundit, me kërkesën e prerë të drejtuesve: ekipi duhet të reagojë menjëherë dhe të tregojë një tjetër fytyrë në Evropë.
Ndërkohë, në Madrid ka nisur të qarkullojë lista e mundshme e pasuesve.
Rikthehet sërish emri i Zinedine Zidane, edhe pse ky skenar mbetet i vështirë, pasi francezi synon të marrë drejtimin e Kombëtares së Francës pas Botërorit 2026, me largimin e Deschamps tashmë të konfirmuar.
Në listë ndodhen edhe emra të tjerë të njohur si Jurgen Klopp, Santiago Solari dhe Álvaro Arbeloa, të cilët monitorohen nga klubi në rast të një tronditjeje të re.
Pas humbjes, Xabi Alonso u shfaq i zhgënjyer dhe i irrituar, por u përpoq të ruante qetësinë: “Jemi të gjithë të bashkuar. Humbjet të lëndojnë, por duhet të shikojmë përpara.
Tani vjen Champions-i dhe duhet të tregojmë një tjetër version. A po rrezikoj stolin? Është një ndeshje për tri pikë në Champions.”
E mërkura do të jetë dita e së vërtetës për Real Madridin dhe për të ardhmen e trajnerit të tij.
