Milani i Allegrit ofron Nkunku në shkëmbim të Lewandowskit, zbulimet e fundit nga Italia

Sipas ‘Calciomercato’, AC Milan po përgatit një lëvizje të bujshme në merkaton e janarit: kuqezinjtë janë gati të shkëmbejnë Christopher Nkunku me Robert Lewandowski-n, në një operacion që po trondit Italinë dhe Spanjën.

Këtë javë, drejtuesit e Milanit pritet të takohen me superagjentin Pini Zahavi, i cili përfaqëson si Nkunku-n, Lewandowski-n, ashtu edhe trajnerin aktual të Barcelonës, Hansi Flick.

Objektivi është i qartë: të eksplorohet mundësia e një marrëveshjeje të menjëhershme.

Pse Milani kërkon Lewandowskin tani?

Polaku do të jetë lojtar i lirë në fund të sezonit, por Milani dëshiron ta sjellë që në janar, për t’i dhënë skuadrës një shtysë të madhe në garën për titull.

Allegri kërkon një “bomber” të garantuar dhe Lewandowski shihet si profili ideal.

Situata e Lewandowski-t në Barcelonë

Te Barça, nën drejtimin e Hansi Flick, Lewandowski ka humbur pak nga protagonizmi, pasi Ferran Torres po kalon një formë të jashtëzakonshme: ai realizoi “hat-trick” kundër Betisit dhe është tashmë golashënuesi më i mirë i katalanasve këtë sezon me 13 gola në të gjitha garat.

Nkunku mbërriti në verë nga Chelsea për 38 milionë euro + 4 milionë bonuse, por ka shënuar vetëm 1 gol gjatë gjithë sezonit.

Milani është gati të heqë dorë nga francezi, duke e përfshirë në një shkëmbim që mund të sjellë te kuqezinjtë një prej sulmuesve më të mirë të dekadës.

Operacioni mbetet kompleks, por jo i pamundur. Takimi me Zahavin këtë javë pritet të jetë vendimtar për të kuptuar nëse kjo supermarrëveshje mund të realizohet.