HAMILTON, VITI I ZI ME FERRARIN/ 0 podiume për britanikun. “Kokëkuqja” larg pritshmërive të tifozëve

Lewis Hamilton mbyll sezonin e parë me Ferrarin pa asnjë podium, duke ndërprerë një seri historike prej 18 vitesh. SF-25 nuk i dha britanikut asnjë garë për të luftuar lart, dhe tani të gjitha shpresat janë te 2026.

Sezoni i parë i Lewis Hamilton me Ferrarin mbyllet me një statistikë që trondit botën e Formula 1:. Asnjë fitore, por mbi të gjitha asnjë vend në podium— një bilanc i paimagjinueshëm për shtatë herë kampionin e botës, i cili prej vitit 2007 nuk kishte mbyllur kurrë një kampionat pa një trofe në podium.

Rënia është e ashpër dhe simbolike. Nga debutimi me McLaren, tek dominimi absolut me Mercedes, Hamilton gjithmonë kishte gjetur mënyrën për të lënë gjurmë edhe në sezonet më të vështira. Ecuria historike prej 18 sezonesh rresht në podium u thye pikërisht në vitin kur ai veshi për herë të parë ngjyrat e Ferrarit.

Martesa Hamilton–Ferrari, e pritur si nisja e një epoke të re triumfesh, u kthye në një kalvar teknik e sportiv.

Britaniku hasi vështirësi të mëdha për t’u përshtatur me SF-25, një makinë që rezultoi shumë më pak konkurruese se pritshmëritë e tifozëve. Gara pas gare, Hamilton u gjend larg zonës së pikëve të mëdha, duke u mposhtur shpesh jo vetëm nga rivalët për titull, por edhe nga shoku i skuadrës, Charles Leclerc.

Ajo që duhej të ishte një vit i rilindjes u shndërrua në statistikat më të zymta të karrierës së tij. Për tifozët e Ferrarit, që ëndërronin titullin botëror, mbyllja e sezonit vjen si një shuplakë realiteti: Hamilton nuk kishte qenë kurrë kaq poshtë në renditje.

Tani gjithë shpresat janë zhvendosur te sezoni 2026, ku ndryshimet e mëdha teknike dhe rregullatore pritet të rishkruajnë ekuilibrat e Formula 1. Për Hamilton, viti i dytë me Ferrarin duhet të jetë sezoni i rikthimit — ose rreziku i rënies së një legjende nga piedestali bëhet i prekshëm.