VIDEO/ Napoli mposht Juventusin me super-Højlund, rikthehet në krye të renditjes të Serie A
Napoli ka triumfuar 2-1 ndaj Juventusit në sfidën kryesore të javës së 14-të në Serie A, duke u rikthyer në krye të renditjes pas fitores në “Diego Armando Maradona”. Nën drejtimin e Antonio Contes, napolitanët mbyllin vitin 2025 të pamposhtur në shtëpi, ndërsa rikthejnë entuziazmin në tribunat e stadiumit.
Højlund, hero absolut i mbrëmjes, firmosi dy golat vendimtarë. Sulmuesi danez zhbllokoi sfidën që në minutën e 7-të falë një asistimi perfekt nga Neres, i cili edhe një herë konfirmoi formën e tij të shkëlqyer.
Juventusi reagoi vetëm në pjesën e dytë dhe gjeti barazimin në minutën e 59-të me Yildiz, i cili shënoi në të vetmen goditje në portë të bardhezinjve deri në atë moment.
Por Napoli, i shtyrë nga publiku dhe me një ritëm të lartë loje, rifitoi kontrollin dhe goditi sërish. Në minutën e 78-të, një top i devijuar pa dashje nga McKennie u shndërrua në asist për Højlund, i cili me një goditje të saktë me kokë vulosi fitoren 2-1.
Ky sukses i jep Contes fitoren e parë në karrierë përballë trajnerit Luciano Spalletti dhe konfirmon dominimin e Napolit në këtë fillim sezoni.
Ndërkohë, Juventus i Spalletti-t duhet të gjejë urgjentisht zgjidhje, pasi krijoi pak raste dhe u tregua i pafuqishëm përballë organizimit taktik të vendasve.
Napoli e mbyll kështu vitin në majën e tabelës, i pathyeshëm në shtëpi dhe me ambicie të qarta për titullin e madh.

