CONTE: JAM KRENAR PËR EKIPIN! Spalleti: Napoli na vuri në vështirësi si ekip
Trajneri i Napolit Antonio Conte ka vlerësuar performancën e ekipit të tij, që pavarësisht mungesave dhe dëmtimeve dhanë më të mirën në fushë përballë Juventusit. Me fjalë të mira për ekipin kundërshtar u shpreh edhe Luciano Spalleti, i cili deklaroi se djemtë e tij e ndjenë presionin gjatë gjithë ndeshjes,
Napoli rikthehet në krye të Serisë A, falë një performance të shkëlqyer në “Diego Armando Maradona” dhe një dopiete vendimtare të Rasmus Hojlund, që i dha kampionëve fitoren 2-1 ndaj Juventusit. Ky rezultat, regjistroi gjithashtu humbjen e parë të trajnerit Lucjano Spalleti në stolin bardhezi.
Duke folur pas ndeshjes, Antonio Conte i napoletanëve nuk i kurseu elozhet për lojtarët e tij, të cilët zbritën me mungesa.
Conte: “Lojtarët meritojnë të gjitha komplimentet. Në një moment kaq të vështirë, me kaq pak lojtarë në dispozicion, po bëjmë gjëra të jashtëzakonshme. Çdokush që futet në fushë, luan me karakter dhe përgjegjësi. Jam krenar sepse e ndjejnë peshën e këtij momenti”.
Conte foli edhe për sakrificën e Scott McTominay, që pavarësisht problemeve fizike qëndroi në fushë deri në fund, ndërsa vlerësime dha edhe për repartin mbrojtës.
Conte: “Scott dhe të tjerët po bëjnë diçka të jashtëzakonshme. Edhe Eljif Elmas, në ndeshjen e tij të parë si titullar në mesfushë në Serie A, ishte i shkëlqyer. Mbrojtja duke shtyrë përpara shmang rrezikun. Juve pati vetëm dy goditje në portë. Patëm energji, rregull dhe lëvizje që i kishim përgatitur”.
Napoli tashmë përgatitet për sfidën e radhës në Champions League, teksa me këtë triumf ndaj Juventus kane thyer një tjetër rekord, asnjë humbje në shtëpi për këtë vit.
Conte: “Kemi dy ditë pushim dhe më pas udhëtojmë në Portugali kundër Benfikës. Këtyre djemve u duhet rikuperim fizik. Por për momentin dua t’ju them vetëm faleminderit!”
Mund të them vetëm faleminderit, faleminderit këtyre djemve.”
Nga krahu tjetër, trajneri i “Zonjës së Vjetër”, Lucjano Spalleti pranoi se napolitanët i vunë në vështirësi si ekip.
Spalleti: Na bënë të vrapojmë. Janë skuadër e fortë dhe në formë. Të tërheqin nëpër fushë sepse kanë forcë dhe cilësi.”
Juventusi pati vetëm një goditje në portë gjatë gjithë ndeshjes, ndërsa zgjedhja për të luajtur pa sulmues të mirëfilltë ngriti pikëpyetje:
Spalleti: “Provuam të bënim diçka ndryshe. Yildiz dhe Conceição dinë të luajnë me topin, por Lokatelli u tërhoq shumë mbrapa dhe humbëm kontrollin në mesfushë. Mbetëm të bllokuar. Vetëm në pjesën e dytë arritëm të shkonim një kundër një, por ata kanë cilësi të madhe në kundër-zbritje.”
Por pavarësisht humbjes, Spalleti ka besim te ekipi I tij, por se reagimi duhet të jetë i menjëhershëm.
Spalleti: “Duhet të bëjmë hapa përpara, përndryshe bëhet e vështirë. Dhamë shumë topa dhe kur nuk e kontrollon lojën, bëhesh pasagjer i saj”.

