Inter–Liverpool, Chivu: Salah? Duhet të përballojmë një ekip shumë të fortë jo thjesht individët
Pas fitores mbresëlënëse kundër Como-s, Interi i Cristian Chivu është gati të kthehet në skenën europiane për sfidën e radhës të Champions League, ku në ‘San Siro’ do të përballet me Liverpool-in e Arne Slot.
Zikaltrit synojnë të ruajnë formën pozitive dhe të marrin fitoren e pestë në gjashtë ndeshjet e para, por trajneri rumun paralajmëron se përballja nuk do të jetë aspak e lehtë.
Chivu, në konferencën për shtyp, vlerësoi maksimalisht kundërshtarin, pavarësisht luhatjeve të fundit të anglezëve: “Liverpooli është skuadër e kompletuar.
Vjet fituan Premier League-n, këtë sezon nisën mirë dhe pastaj patën vështirësi, por mbeten ekip i ndërtuar për të konkurruar në nivelet më të larta.
Kanë vlera individuale dhe kolektive, prandaj duhet të kemi intensitet dhe t’i përgjigjemi me të njëjtën forcë.”
Sa i përket mungesës së mundshme të Mohamed Salah, Chivu ishte i qartë: “Nuk ka vetëm një lojtar, ka gjithë skuadrën. Ne duhet të përgatitemi për Liverpool-in si ekip, jo për individët.”
Ndërkohë, shqetësim mbetet gjendja e Manuel Akanji-t, i cili nuk është ndier mirë: “Sot nuk ishte në gjendje dhe e dërguam në shtëpi. Nesër do të vendosim,” tha trajneri.
Para konferencës, duke folur për Sky, Chivu shtoi se pavarësisht ulje-ngritjeve, Liverpooli mbetet nga skuadrat më të titulluara dhe më ambicioze në Evropë: “Kanë lojtarë që i njohin momentet dhe dinë të reagojnë kur duhet. Salah?
Nuk flas për problemet e të tjerëve. Edhe ne kemi tonat. Ai është lojtar i nivelit botëror, por kjo nuk ndryshon asgjë për ne.”
Chivu nënvizoi se Interi po kalon një periudhë të mirë, por e rëndësishme është ndeshja që vjen: “Forma matet nga ajo që do të bësh nesër, jo nga ajo që ke bërë dje. Ne duam vazhdimësi dhe pikë që na bëjnë konkurrues.”
E ardhmja e grupit dhe ritmi europian i zikaltërve kalon pikërisht nga sfida e madhe e ‘San Siros’ kundër Liverpool-it.
