TIRANË/ Shantazh*nte njerëzit me profile të rreme dhe u kërkonte para, arrestohet 20-vjeçari
Policia e Tiranës ka arrestuar një 20-vjeçar i identifikuar me inicialet E.M., banues në Tiranë, pasi mashtronte qytetarët duke u kërkuar para për të mos i publikuar fotot e tyre personale në rrjete sociale.
Kjo skemë shantazhi është kapur së fundmi nga uniformat blu, teksa hetimet tregojnë se gjatë këtyre dy javëve të fundit, i riu krijonte profile të rreme dhe siguronte foto nga qytetarë të ndryshëm dhe më pas u kërkonte shuma prej 500 deri në 1000 euro për të mos i publikuar ato.
Konkretisht, me 5 dhe 6 dhjetor 2025, ai mori 750 euro nga një 36-vjeçar.
Materialet i janë dorëzuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
DVP Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Online Threat”.
Mashtronte shtetas të ndryshëm duke u kërkuar nga 500 deri në 1000 euro, për të mos publikuar në rrjetet sociale fotot e tyre personale, vihet në pranga 20-vjeçari.
Dokumentohen 2 raste të mashtrimit të kryera nga ky shtetas.
Seksioni për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën kibernetike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Online Threat”.
Si rezultat i operacionit u arrestua shtetasi E. M., 20 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, për një periudhë rreth 2-javore, në një rrjet social hapte profile false dhe, gjatë komunikimit me shtetas të ndryshëm, siguronte prej tyre foto personale. Më pas, nëpërmjet mashtrimit dhe shantazhit, u kërkonte shuma monetare nga 500 deri në 1000 euro, në këmbim të mosbërjes publike të fotove personale.
Konkretisht, në datat 05.12.2025 dhe 06.12.2025, ky shtetas, në mënyrë të përsëritur, ka përfituar shumën 750 euro nga një 36-vjeçar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
