POLICIA BËN KËRDINË NË TIRANË/ Gjobiten 3787 shoferë për shkelje të rregullave të qarkullimit (VIDEO)
Policia Rrugore e Tiranës gjatë 48 orëve të fundit kreu një monitorim intensiv, për të parandaluar aksidentet rrugore dhe për të menaxhuar trafikun.
Policia njoftoi se në fokus ishte mosrespektimi i radhës së lëvizjes (kryesisht daljes) në Unazë të Madhe, shkelje e cila bëhet shkak për rëndim të trafikut në këtë aks të rëndësishëm të kryeqytetit.
Gjatë dy ditëve të fundit, bëri të ditur policia, “janë vënë 3787 masa administrative, për shkelje të evidentuara në të gjithë qarkun, si: tejkalim i shpejtësisë, parakalim i gabuar, përdorim i celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosvendosje e rripit të sigurimit, mospajisje me dokumentacion të nevojshëm për të lëvizur me automjet, etj.”.
Gjithashtu u vendosën 163 masa administrative, për drejtuesit që duke mos respektuar radhën e lëvizjes, krijuan kaos në trafik dhe kryen/nxitën manovra të rrezikshme për përdoruesit e rrugës.
Policia Rrugore apelon për zbatim rigoroz të rregullave të qarkullimit, respektim të radhës dhe shmangie të çdo manovre të rrezikshme.

