Konomi: PAK mund të konkurrojnë barabartë, nëse mjedisi u krijon kushtet

Përfaqësuesi i Komisionit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Darian Konomi, ishte i ftuar në emisionin “Epiqendër” të gazetares Sonila Musai, ku foli për sfidat dhe pengesat me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara në jetën e përditshme dhe veçanërisht në tregun e punës.

Gjatë bisedës, Konomi nënvizoi se aftësia e kufizuar nuk duhet parë si pengesë e pashmangshme, por si një gjendje që bëhet kufizuese vetëm kur shoqëria nuk ofron mjedisin e duhur.“

Ne mund të jemi absolutisht kontribues dhe në kushte të barabarta konkurrence në tregun e punës apo në çdo funksion tjetër, nëse kushtet mjedisore na lejojnë që të bëjmë ato gjëra,” – u shpreh ai teksa theksoi se krijimi i aksesueshmërisë fizike, teknologjike dhe institucionale është parakusht për përfshirjen reale të personave me aftësi të kufizuara.