Konomi: Në 2025-ën PAK ende ka mungesë aksesueshmërie në shërbimet bazë

Përfaqësuesi i Komisionit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Darian Konomi, ishte i ftuar në emisionin “Epiqendër” të gazetares Sonila Musai, ku diskutoi mbi sfidat e vazhdueshme të personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri dhe pengesat që ata ndeshin në institucionet publike.

Gjatë fjalës së tij, Konomi theksoi se edhe pse jemi në vitin 2025, aksesueshmëria në shërbimet bazë vijon të mbetet një problem serioz.“Ka disa shërbime të cilat janë prioritare, si shërbimet spitalore dhe aksesi në poste.

Ka shumë raste kur personi me aftësi të kufizuar nuk mund të marrë shërbimin në postë.

Ambulanca duhet të jetë e aksesueshme… dhe sot, në 2025, ne flasim ende për çështje të përshtatshmërisë,” – u shpreh Konomi.

Ai ngriti shqetësimin se mungesa e aksesit fizik dhe teknologjik në institucione shtetërore shkel të drejtat bazë të qytetarëve me aftësi të kufizuara, duke i vënë ata në kushte të pabarabarta dhe duke i detyruar shpesh të heqin dorë nga shërbimet publike.