Konomi: Ligji për punësimin e personave me aftësi të kufizuara po shkelet nga vetë shteti

Përfaqësuesi i Komisionit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Darian Konomi, ishte i ftuar në emisionin “Epiqendër” të gazetares Sonila Musai, ku trajtoi një nga çështjet më problematike për personat me aftësi të kufizuara, moszbatimin e ligjit për punësim.

Gjatë intervistës, Konomi ngriti shqetësimin se kuadri ligjor ekziston, por zbatimi i tij është tejet i mangët.

“Ne kemi një ligj punësimi i cili sot po shkelet, nuk po zbatohet.

Punësimi i personave me aftësi të kufizuara ende nuk po realizohet dhe ne vërejmë që një ndër shkelësit kryesor është vetë shteti,” – deklaroi Konomi.

Ai theksoi se institucionet publike, të cilat duhet të jenë shembulli i parë në respektimin e detyrimeve ligjore, shpesh nuk zbatojnë kuotat e punësimit, duke i lënë personat me aftësi të kufizuara jashtë tregut të punës dhe jashtë mundësive për pavarësi ekonomike.