VIDEO/ Vidhnin makina në Europë për t'i shitur në Shqipëri, sekuestrohen dy "Audi"

Policia e kryeqytetit ka vijuar operacionin “Stolen line”, në kuadër të të cilit ka sekuestruar dy automjete. Automjetet e sekuestruara janë të tipit Audi A6 dhe Audi A5, me vlerë rreth 105 000 uro.

Një ditë më parë në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan dy automjete të tjerë, me vlerë 110 000 euro.

Automjete këto të cilët rezultojnë të vjedhura në vendet e Europës me qëllim për t’u shitur në Shqipëri.

Në lidhje me këtë veprimtari kriminale, policia shpalli në kërkim dy persona.

Njoftimi i policisë

Vijon operacioni policor i koduar “Stolen Line”, i finalizuar një ditë më parë.

Sekuestrohen 2 automjete (“Audi A6” dhe “Audi A5”), me vlerë rreth 105 000 euro.

Një ditë më parë u sekuestruan edhe dy automjete të tjera, me vlerë 110 000 euro.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Tiranë, në vijim të operacionit policor “Stolen Line” si rezultat i punës hetimore për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të trafikimit të automjeteve luksoze, kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasit:

-V. M(L)., i cili dyshohet se ka trafikuar automjetin tip “Audi A6” me qëllim shitjen në Shqipëri, i cili rezulton i vjedhur në Gjermani;

-J. C., i cili dyshohet se ka trafikuar automjetin tip “Audi A5” me qëllim shitjen në Shqipëri, i cili rezulton i vjedhur në Bullgari;

Dy automjetet, prodhime të viteve të fundit, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Operacioni policor i koduar “Stolen Line” vijon.

Materialet procedurale i janë dorëzuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.