Avdyli: Marrëveshjet e divorcit tashmë edhe online
E ftuar në emisionin “Epiqendër”, moderuar nga Sonila Musai, kryetarja e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësimit, Drita Avdyli, foli në lidhje me rritjen e divorceve në Shqipëri, si edhe me mënyrat moderne të trajtimit të proceseve të ndarjes.
Diskutimi u zhvillua në kuadër të raportit të INSTAT, që tregon rënie të martesave dhe rritje të divorceve vit pas viti.
Avdyli tha se ndërmjetësimi po adopton forma më fleksibël për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, veçanërisht emigrantëve që nuk kanë mundësi të jenë fizikisht të pranishëm në Shqipëri.
“Ne i bëjmë edhe seancat online. Çdo emigrant që nuk ka mundësi të vijë, e zhvillon seancën nga jashtë.
Madje, kjo mënyrë i kursen kohë edhe palës tjetër që ndodhet në vend, sepse nuk i ndërpritet puna.
Marrëveshja e divorcit nënshkruhet elektronikisht,” u shpreh Avdyli.
