Fokus i ri tek abuzimi online dhe shantazhi digjital/ Koçiu: Dyfishim i rasteve të zgjidhura të krimeve kibernetike

Dhuna me bazë gjinore mbetet një sfidë e rëndë në Shqipëri dhe në rajon, duke marrë forma gjithnjë e më të sofistikuara në hapësirën digjitale. Autoritetet shqiptare dhe OSBE-ja paralajmërojnë se rreziku po shtohet, ndërsa kërkojnë masa të reja ligjore dhe institucionale për të mbrojtur qytetarët, sidomos gratë dhe vajzat.

Dhuna me bazë gjinore është një shqetësim në rritje jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin dhe jo vetëm.

Ministrja e Brendshme Albana Koçiu theksoi se vendi ynë ka marrë masa shtesë për parandalimin dhe ndëshkimin e dhunës me bazë gjinore, sidomos në aspektin online a digjital.

KOÇIU: “Janë identifikuar gjithsej 1,210 vepra penale të lidhura me krimin kibernetik, prej të cilave 632, ose 61%, janë zgjidhur me sukses. Kjo përfaqëson pothuajse një dyfishim të numrit të rasteve të zgjidhura dhe individëve të sjellë para drejtësisë brenda vetëm një viti. Ekspertët kanë propozuar dispozita të reja që trajtojnë ngacmimin, shantazhin përmes kërcënimit për publikimin e materialit intim, manipulimin emocional që qëndron në thelb të shumë krimeve kibernetike, dhe ndjekjen online, e cila përfshin synimin e vazhdueshëm të individëve përmes kanaleve të shumta digjitale”.

Ambasadori i OSBE, Michel Tarran, theksoi se dhuna me bazë gjinore mbetet problem në të gjithë rajonin.

MICHEL TARRAN: “Në të gjithë rajonin, pabarazia gjinore, diskriminimi dhe dhuna krijojnë mjedise ku frustrimi, margjinalizimi dhe mosbesimi ndaj institucioneve rriten. Këto kushte i bëjnë të rinjtë më të prekshëm ndaj radikalizimit. Dhuna me bazë gjinore nuk është vetëm një shkelje e të drejtave të njeriut, por është edhe një faktor rreziku për paqëndrueshmëri sociale”

Deklaratat u bën gjatë konferences Dhuna Online me Bazë Gjinore dhe Radikalizimi drejt Dhunës në Epokën Dixhitale, në kuadër të fushatës 16 ditë kundër dhunës me bazë ligjore.