Messi arrin shifrën e pabesueshme prej 1300 golash dhe asistimesh
Lionel Messi vazhdon të shkruajë historinë e futbollit modern. Sulmuesi argjentinas e ka udhëhequr Inter Miamin drejt finales së parë të Konferencës Lindore në MLS, pas një fitoreje të thellë 4-0 ndaj Cincinnati-t, në të cilën ai realizoi një gol dhe dha tri asistime.
Messi e hapi rezultatin në minutën e 19-të me një goditje me kokë, një mënyrë jo e zakonshme shënimi për të, ndërsa më pas u shndërrua në “njeriun asist”, duke u shërbyer bashkëlojtarëve topa të artë.
Ai asistoi për Mateo Silvetti-n në minutën e 57-të dhe për Tadeo Allenden në minutat e 62-të dhe 74-t.
Përveç paraqitjes spektakolare, kapiteni i Argjentinës vendosi edhe një rekord të ri në playoff-et e MLS.
Me dymbëdhjetë kontribute në total (gjashtë gola dhe gjashtë asistime), ai është bërë lojtari më vendimtar në historinë e kësaj faze, duke kaluar Ante Razovin, i cili mbante rekordin e mëparshëm me dhjetë kontribute.
Për më tepër, Messi ka arritur shifrën e jashtëzakonshme prej 1 300 kontributesh ofensive në karrierë mes golave dhe asistimeve: 896 gola dhe 404 pasime vendimtare.
Janë numra që konfirmojnë ndikimin e tij global në futbollin modern.
Tetë herë fitues i Topit të Artë dhe kampion bote në vitin 2022, Messi vazhdon të dëshmojë pse konsiderohet si një nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohëve.
Aftësia e tij për të ndikuar në momentet vendimtare, e shoqëruar me një cilësi teknike të pakrahasueshme, e bën jo vetëm kënaqësi për tifozët e çdo skuadre ku ka luajtur, por edhe një model të jashtëzakonshëm për mbarë botën e futbollit.
