ALLEGRI: KEMI KARAKTER! Kivu: U paraqitëm mirë, por e pësuam në kundërsulm
Fitorja në derbi ndaj Interit, për trajnerin e Milanit Masimiliano Allegri, ka konsoliduar pozitat e kuqezinjve në kampionat. Nga ana tjetër tekniku i zikaltërve Kristjan Kivu nuk e fshehu zhgënjimin, por beson te ekipi i tij dhe te koha për t;u rikuperuar.
Massimiliano Allegri festoi një fitore të madhe të Milanit në derbin ndaj Interit, një triumf që e ngjit skuadrën kuqezi në vendin e dytë të Serie A, vetëm dy pikë prapa kryesuesve të Romës.
Edhe pse Milani u vendos nën presion për periudha të gjata dhe u shpëtua nga shtyllat në pjesën e parë pas tentimeve të Acerbit dhe Lautaro Martinez, ekipi tregoi cinizëm dhe efikasitet, duke goditur në kundërsulm ashtu si në sfidën e fundit ndaj Romës.
Ky rezultat i konsolidon pozitat e Milanit pasi ka korrur sukses ndaj ekipeve të mëdha. Megjithatë për trajnerin Masimiliano Allegri, humbja e pikëve kundër ekipeve më të vogla mbetet problemi kryesor i sezonit.
“Ka qenë një fitore e madhe, një ndeshje e bukur. Fillimisht ishim pak të tensionuar në 15 minutat e para, por pastaj u liruan dhe patëm katër ose pesë situata ku mund të kishim zgjedhur më mirë në të tretën e fundit, sidomos në pasimet drejt Pulisic dhe Saelemaekers. Mendoj se pikët që kemi janë ato që meritojmë, sepse me Napolin dhe Romën mund të kishim barazuar lehtësisht, kështu që gjithçka balancohet. Kjo ndeshje konfirmoi sezonin tonë që nga fillimi: kur duhej të vendosnim ritmin, nuk e bëmë gjithmonë, duke pësuar gola ndaj Cremonese. Psikologjikisht, kjo është një fitore e rëndësishme, sepse qëndrimi në top katërshe ishte objektivi ynë”, theksoi Allegri.
Nga ana tjetër, humbja nuk la një shije të mirë për zikaltërit. Por në konferencën për shtyp trajneri Kristjan Kivu shfaqi qetësi.
“Fiton gjithmonë ai që shënon një gol më shumë dhe fatkeqësisht kësaj radhe ata ishin. Bëmë një paraqitje të mirë, u përpoqëm të ishim dominues dhe ruajtëm ekuilibrin. Ky është futbolli. Pësuam gol në kundërsulmin e parë. U përpoqëm ta kthenim, por na mungoi qartësia dhe qetësia në pasimin e fundit”, u shpreh Kivu.
Kivu po ashtu hoqi përgjegjësinë edhe nga portieri Somer, duke u shprehur se nuk i drejton gishtin e fajit askujt.
“Individualisht nuk gjykoj askënd sepse të mitë janë më të mirët nga këndvështrimi im. Nuk do t’i tregoja gishtin askujt, sepse nëse e bën këtë, ka aromë dështimi. Mund të bënim të gjithë më mirë, jemi të gjithë bashkë brenda kësaj. Detyra jonë është vetëm të ngrihemi përsëri”, u shpreh tekniku.
Interesit të medieve sa I përket meraktos së dimrit, Kivu nuk iu përgjigj.
“E vlerësoj shumë kureshtjen dhe punën tuaj, por kam humbur një derbi dhe nuk më pëlqen të flas për merkato. Kam 22 lojtarë të mirë, me karakteristika për të qenë te Interi”, tha ai.
Ky ishte derbi I parë për ketë sezon mes Interit dhe Milanit.
Aktualisht kuqezinjtë ndodhen në vendin e dytë në Seria A, ndërsa Interi në vendin e katërt, me 1 pikë më pak.

