Torino sfidon Comon, Fabregas i thur elozhe Kristjan Asllanit: Është një lojtar i madh

“Kura” e Kombëtares i ka bërë mjaft mirë Kristjan Asllanit, i cili kishte humbur vendin e titullarit në Torino, pasi në tri takimet e fundit e ka nisur nga stoli.

Paraqitjet me Shqipërinë dhe dëmtimi i Iliç duket se do të shtyjnë Marco Baronin që ta aktivizojë mesfushorin shqiptar që nga e minuta e parë na takimin e radhës të Torinos, e cila pret sot në mbrëmje Comon.

Në vigjilje të këtij dueli trajneri i Comos, Cesc Fabregas, u pyet për Asllanin pasi në ditët e fundit në mediet italiane u publikua një prapaskenë sipas së cilës për shërbimet e shqiptarit ishte interesuar edhe rivalja e radhës e Torinos.

“Mendoj se është një lojtar i madh, ai vjen nga Interi dhe për momentin po kalon një moment të artë pasi ka shënuar edhe gol me Kombëtaren e tij”, tha tekniku spanjoll.