Gonxhja drejt finalizimit të Inter Academy Albania, takim zyrtar me presidentin e Interit në Milano

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm në Milano me Presidentin dhe CEO-në e F.C. Internazionale Milano, Giuseppe Marotta, për të konkretizuar projektin e ngritjes së Inter Academy Albania.

Në takim ishte i pranishëm edhe Juxhin Dervishi, drejtues i Inter Club Albania, ndërsa diskutimet u fokusuan te ndërtimi i një bashkëpunimi strategjik mes klubit italian dhe institucioneve shqiptare, me synim rritjen e standardeve të futbollit bazë dhe krijimin e hapësirave të reja për zhvillimin e talenteve të rinj në Shqipëri dhe rajon.

Sipas ministrit Gonxhja, palët janë dakordësuar për hapat përfundimtarë të projektit dhe shumë shpejt pritet vizita zyrtare në Shqipëri e një delegacioni të Interit, të kryesuar nga vetë Marotta, ku edhe do të zyrtarizohet marrëveshja.

Ky projekt konsiderohet si një hap i rëndësishëm për sportin shqiptar, duke sjellë partneritet me një markë globale të futbollit dhe duke krijuar një bazë të re për edukimin sportiv të brezave të ardhshëm.