Real Madridi përfitoi sërish nga vendimet e dyshimta të gjyqtarit? Polemika të forta pas barazimit në Elche

Real Madridi shmangu humbjen në fushën e Elches, por barazimi 2-2 solli me vete një valë polemikash të forta, pasi të dy golat e skuadrës madrilene po konsiderohen nga tifozët dhe analistët si të ndikuar nga vendime të debatueshme të gjyqtarit.

Ndeshja nisi keq për “Los Blancos”, të cilët u gjendën dy herë në disavantazh ndaj një Elche të sapongjitur në elitë. Megjithatë, Real Madridi arriti të rikthehej në lojë, duke shënuar dy herë – por pikërisht këto dy gola ndezën polemikat.

Rasti i parë erdhi pas një situate të paqartë në zonë: pas një dueli ajror, topi u devijua nga krahu i Jude Bellingham para se Dean Huijsen ta dërgonte në rrjetë. Pavarësisht dyshimeve të shumta, gjyqtari nuk u thirr nga VAR-i për të shqyrtuar aksionin.

Situata u përshkallëzua edhe më tej në golin e dytë. Pas një harkimi nga e djathta, portieri i Elches, Iñaki Peña, pati një përplasje të fortë me Vinicius Junior, duke mbetur i dëmtuar në fytyrë.

Ndërkohë, Kylian Mbappé arriti të devijonte topin për Jude Bellingham, i cili shënoi në portën e zbrazët. As në këtë rast, arbitri nuk kërkoi asistencë nga VAR-i, gjë që ngriti akuza të reja për trajtim të privilegjuar të madrilenëve.

Episodet kanë rindezur debatin e njohur mbi vendimet e diskutueshme në ndeshjet e Real Madridit, me tifozët e Elches dhe rrjetet sociale që shpërthyen në kritika pas përfundimit të takimit.

Barazimi lë më shumë pikëpyetje se përgjigje, sidomos për drejtësinë e vendimeve në një sfidë ku tensioni i fushës u zhvendos plotësisht te vendimet e arbitrimit.