RENEA NË TERREN/ Gjendet arsenal armësh dhe mina me telekomandë në Nikël, policia në kërkim të "pronarëve"
Prej ditësh RENEA dhe trupat e FNSH-së kanë nisur një operacion në zonat përreth Fushë-Krujës.
Mëngjesin e sotëm në Nikël, policia ka njoftuar gjetjen e një arsenali armësh dhe minash, të cilat dyshohet se mund të kenë lidhje me grupime kriminale aktive në zonë.
Sakaq, mësohet se është identifikuar një prej personave që ka pasur armët, i cili tashmë është shpallur në kërkim.
“Në Nikël gjatë kontrollit të policisë janë gjetur një automatik, një mitraloz, pjesë armësh, disa granata, fishekë të kalibrave të ndryshme, fitil zjarr-përcjellës, lëndë plasëse me telefon me shpërthim në distancë etj”, raporton gazetari Edison Vatnikaj.
Mësohet se kontrollet në këtë zonë vijnë pas atentatit në Rinas, ku në 11 nëntor afër aeroportit u ekzekutua Gilmando Dani dhe u plagos agjenti i AMP-së, Muçi Shaljani që ishte në makinë me Danin.
DETAJET E OPERACIONIT

Policia ka zbuluar detaje nga operacioni i zhvilluar në Nikël, ku në një banesë në pronësi të shtetasit Ylli Zalla, u gjet një arsenal armësh, që dyshohet se lidhet me atentatin e kryer disa ditë më parë në afërsi të aeroportit të Rinasit.
Sipas policisë, gjatë kontrolleve u gjetën në banesë: 3 kallëpë tritol; 12 granata dore sulmuese; sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës dhe celularë(mina); 3 ndezës granatash, kapsolla detonatore dhe 5 celularë; 4 armë zjarri (2 automatikë dhe 2 pushkë), 8 krehra dhe pjesë armësh; 6000 fishekë të kalibrave të ndryshëm; 2 kg e 25 gramë Cannabis.
Sakaq, policia njoftoi se Ylli Zalla, pronari i banesës u shpall në kërkim, ndërsa theksoi se po hetohet me qëllim zbardhjen e lidhjes së mundshme që mund të ketë 48-vjeçari, me ngjarjen e ndodhur te rrethrrotulli i Rinasit.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Zhvillohet operacioni policor i koduar “Tracking”, nga specialistët e Sektorit të Krimeve të Rënda të DVP Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë.
Operacioni, ende në vijim në rrethin Krujë, në kuadër të punës intensive hetimore dhe operacionale, me objektiv zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të ngjarjes së datës 12.11.2025, te rrethrrotullimi i Rinasit.
Zbulohet një banesë në fshatin Zall, Fushë Krujë, ku mbahej arsenal armësh shpërthyese, armësh zjarri dhe municioni.
Gjatë kontrolleve, u gjetën në këtë banesë:
-3 kallëpë tritol;
-12 granata dore sulmuese;
-sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës dhe celularë(mina);
-3 ndezës granatash, kapsolla detonatore dhe 5 celularë;
-4 armë zjarri (2 automatikë dhe 2 pushkë), 8 krehra dhe pjesë armësh;
-6000 fishekë të kalibrave të ndryshëm;
-2 kg e 25 gramë Cannabis.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u shpall në kërkim pronari i banesës, shtetasi Y. Z., 48 vjeç.
Punohet intensivisht për kapjen e tij, si dhe po hetohet me qëllim zbardhjen e lidhjes së mundshme që mund të ketë 48-vjeçari, me ngjarjen e ndodhur te rrethrrotulli i Rinasit.
Operacioni policor i koduar “Tracking”, vijon.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.


