Ish-shefi i shërbimit sekret britanik kërcënon me Irakun

Ish-shefi i shërbimit sekret britanik MI6 në kohën e Tony Blair-it ka kërcënuar se do të bëjë publike gjithë kronologjinë e ngjarjeve që çuan në luftën në Irak.Sir Richard Dearlove, 68 vjeç, në një e-mail dërguar gazetës ‘The Mail on Sunday’ ka thënë se ai do të zbulojë detaje shpërthyese për skandalin nëse ai nuk është dakord me konkluzionet e hetimit zyrtar Chilcot, për rolin e Britanisë në luftën në Irak.Sir Richard, i cili ka ofruar të dhëna sekrete për armët e shkatërrimit në masë të Sadamit, të cilat zbukuruan argumentat e qeverisë së ish-kryeministrit Blair, ka rreth një vit që po shkruan versionin e detajuar të ngjarjeve që çuan në luftën në Irak.Ai kishte vendosur se do t’i mbante sekret ato deri në vdekje dhe më pas ato mund t’i ofroheshin historianëve dhe publikut. Raporti prej 1 milionë fjalësh për luftën në Irak pritet të jetë kritik për ish-kryeministrin britanik Tony Blair dhe ish-shefin e tij të komunikimit Alastair Campbell.Sir Richards me një karrierë mjaft të gjatë në shërbimin sekret MI6 është kritikuar për marrëdhëniet e tij mjaft të ngrohta me Blair në atë kohë, që ka qenë e pazakontë për krerët e këtij shërbimi në relatat e tyre me kryeministrat.As Alistair Campbell, ish-zëdhënësi i Blair, as zyra e ish-kryeministrit nuk kanë pranuar të komentojnë për median britanike për versionin e ish-shefit të kundër-zbulimit britanik, Sir Richard Dearlove.